Nga Bedri Islami
Tash e sa kohë po flitet për peshqit e mëdhenj të politikës shqiptare që pritet të jenë në rrjetën e drejtësisë.
Deri tani, duhet saktësuar, drejtësia nuk ka pasur fare rrjetë ndaj të fuqishmëve, oligarkëve politikë e financiarë. Më saktë, drejtësia ka qenë një hallkë e ndjeshme e korruptimit, për më tepër, përmes saj janë zhvendosur akte të mëdha të korruptimit.
Më shumë se rrjet, drejtësia ka qenë një shoshë e shpuar, nëpër vrimat e së cilës rridhnin krimet e gjithëfarëshme. Në 27 vite pluralizëm, me të gjithë bëmat e shëmtuara që rrodhën bashkë me vitet, në asnjë rast të vetëm sistemi i drejtësisë nuk mund të ishte shëmbëlltyra e së mirës. Ka qenë e kundërta e asaj që është pritur. Më shumë se drejtësi ka qenë masha e përdorur dhe e stërpërdorur nga pushteti për të goditur kundërshtarët në sajesa të dorës së fundit dhe, si tashmë është e ditur, për të krijuar për vete një klasë të veçantë, të pandëshkueshme , si një institucion i mbrojtur nga shteti.
Të gjitha qeveritë, ndërsa janë copëtuar me njëra tjetrën, drejtësinë e kanë pasur nën sqetullën e tyre.
Dhe dihet se , nëpër shoshën e drejtësisë , kanë kaluar dhe kalojnë të gjithë ata, pasi edhe vetë shosha, në këtë rast drejtësia, i hap vrimat e saj sipas dëshirës.
Kjo nuk është e re dhe as e paditur.
Nëse do të kishim pasur një rrjetë të fuqishme të drejtësisë shumë gjëra do të kishin qenë ndryshe.
Në mos tjetër, nuk do të kishim pasur këtë klasë politike që, duke na vjedhur ose duke na vrarë, na bën edhe budallenj.
Krimet më të mëdha politike dhe financiare, të cilat herë pas here kanë shkatërruar ekonominë dhe kanë fundosur njerëzit, janë amnistuar nga drejtësia si pa gjë të keq, por jo pa pasur përfitimet e saj. Tani për njerëzit e drejtësisë flitet dhe është e vërtetë se kemi të bëjmë në një shumicë të ndjeshme me elementë që vetë duhej të ishin para saj.
Si duket, jo edhe aq për shkak të reformës në drejtësi, që është ende në pelenat e saj, por më shumë për inatin e ndërkombëtarëve, që janë mërzitur me, ecejaket pa bukë të drejtësisë shqiptare, por edhe të institucioneve të tjera, rrjetat e hedhura po mbyllen.
Dhe, është krejt e pritur, që ta fillojnë nga vetë drejtësia.
Dy peshq të mëdhenj janë tashmë në buzën e rrjetës.
I pari quhet Adriatik Llalla, ish prokurori i përgjithshëm i Shqipërisë, zyrtari që , për herë të parë, botërisht i bëhet e ditur dhe i bëhet e qartë se , për shkak të korrupsionit të tij galopant, nuk i lejohet përjetësisht hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Shtetet e tjera nuk do të jetë nevoja ta marrin këtë masë. Sepse ai do e ketë vetë të vështirë të lëvizë nga Shqipëria.
Burime të besueshme bëjnë të ditur se dosjet e ardhura ditët e fundit nga jashtë Shqipërisë, por edhe të zbuluara nga media investigative në vend, se kambanat po bien për të shkuar drejt ndalimit të tij. Pasuria e vendosur sipas parimit mafioz të larjes së parave, ku shumëfishimi i saj, përmes blerjes me çmime të ulta dhe shitjes brenda së njëjtës periudhë me çmime deri në 27 herë më të larta, tani është vendosur në sitë, për t’u hedhur në rrjetë.
Adriatik Llalla, si duket , shumë shpejt do të përballet me pyetje tejet të vështira. Atij do i duhet të sqarojë shumë seriozisht blerjet masive që ka bërë dhe shitjet e shumëfishuara: nga kush i ka blerë, cilët qëndrojnë pas këtyre blerjeve, çfarë problemesh kishin shitësit ose të afërmit e tyre me drejtësinë, a është e vërtetë shuma e paguar prej tij apo janë bërë koncesione në blerjen e tyre; mbi cilën bazë financiare ka mundur ai të bëjë këto blerje dhe a janë shlyer detyrimet financiare që rrjedhin nga fitimet e shumëfishta. Së shpejti do i duhet të sqarojë përse në momentet më pik të vendit, kur janë shtruar për hetim e gjykim çështje të rëndësishme, ai ka lëvizur kaq qetësisht në tregun imobiliar, duke pasur fitime përrallash.
Jo larg do i duhet që të bëjë të qartë pozicionin e tij në trafikimin e drogave të forta dhe përse ka heshtur hetime të rëndësishme, cili ka qenë roli i tij dhe i një grupi pranë tij në mbylljen e dosjeve të rëndësishme korruptive dhe marrjen nën mbrojtje të njerëzve të implikuar seriozisht me ligjin.
Largimi i tij i tanishëm nga Shqipëria nuk do të thotë edhe larja e duarve nga ajo që ka ndodhur. Roli i tij në fshehjen e pasurive korruptive në dy detyrat e tij të fundit , si cuket, ka qenë i një rëndësie të veçantë, për deri sa, për hir të mbajtjes së tij në pozicionin e prokurorit të përgjithshëm, u tentua të bëhej një grusht shteti i vogël institucional.
Askujt nuk i vjen keq për të. As opozitës që desh e hodhi vendin në flakë për ta ruajtur deri në fund lolon e prokurorisë. Askush nuk e merr dot më në mbrojtje. I padëshiruar për elitën politike të opozitës, ai do e ndjejë edhe më shumë këtë largesë të politikës ndaj tij, pikërisht të asaj politikës që e vendosi aty ku ishte. Tani, e qartë plotësisht, atë nuk e mbron më as Berisha, njeriu që e vendosi, as Basha, që desh bëri hatanë për largimin e tij, as Meta, që për Llallën ishte gati dhe iu kundërvu ambasadorit amerikan, as Kryemadhi, që hodhi një çizme të shtrenjtë, askush. Dimri politik i tij ka filluar tani në hyrjen e pranverës së këtij viti.
E dyta , si duket, se do të jetë njeriu më besuar i tij, Rovena Gashi. Prokurorja e njohur që me një megallomani të skajshme hyri në debatin e saj marroq, e jo vetëm marroq, me ambasadën amerikane, sipas urdhrit që i dhanë, e jo vetëm për këtë. Duke qenë njeriu i ligjit ajo vendosi të bëjë antiligj, jo fillikat, por edhe familjarisht, si njerëzit e besuar të Llallës. Vendosjen e prokurores së re të përgjithshme ata e trajtuan si një çmenduri dhe largimi nga postet, ku kishin nisur të fshehin të vërtetat e shpallën si luftë. Dhe e nisi luftën e saj duke e quajtur një hiç vendosjen e prokurores së re të përgjithshme. Port ë gjitha këto mund të ishin kalime të zakonshme të njerëzve të dehur me pushtetin. Por, e vërteta është tek frika dhe egërsimi për të mbrojtur të fshehtat e një periudhe të shkuar.
Ndërkohë, harruan se, duke qenë njerëz të zakonshëm, një ditë mund të hetoheshin.
Pasuria e saj fantazmë, me 14 apartamente banimi dhe dy njësi të mëdha shërbimi, në emrin e babait, përmes një firme familjare, bëmat e bashkëshortit të saj prokuror të komanduar nga Llalla në Elbasan, vetëm sapo kanë hapur fletët e para. Do të jetë e vështirë që një baba, pa asnjë të ardhur, dikur pronar i një firme të falimentuar, pa të ardhura shtesë dhe asnjë përcaktim prone, të saktësojë se ku u gjet pasuria marramendëse.
Vetingu është në fillimet e tij. Do të jetë një rrugë e gjatë, e ashpër dhe me një përplasje të fuqishme mes dy grupimeve; nga njëra anë shteti që duke vendosur ligjin dhe të vërtetën do të cenojë interesa të shumë vetëve, dhe, nga ana tjetër e një grupimi , edhe më të fuqishëm, për të shkallmuar edhe një herë drejtësinë.
Presionet kanë nisur që para miratimit të reformës në Drejtësi. Ata po vazhdojnë edhe tani. Mbi prokuroren e përgjithshme, Arta Marku, po hidhen akuza, marrëzi dhe po bëhen sulme të gjithanshme. Synohet largimi i saj, por edhe korruptimi i saj.
Nëse nuk do të kishte mbrojtjen e institucioneve ndërkombëtare dhe kontrollin e tyre, është krejt e mundur që të thyhej rezistenca që po bëhet dhe të kishte një humbje të re.
Shumë emra të njohur politikanësh janë në ankth. Ka nisur largimi i pasurive të fshehura, mbulimi i të ardhurave, krijimi i një historie tjetër nga ajo që ka ndodhur, gjithnjë me frikën se dita e hetimit dhe e ndalimit të tyre nuk është edhe aq larg.
Nuk mund të bien në rrjetë peshqit oligarkë polikë e financiarë nëse nuk bien të parët ata që rrodhën nga drejtësia e molepsur.