Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e festes se 14–Marsit, Ditës së Verës, në të gjithë Qarkun e Elbasanit.
Për shkak të shtimit të numrit të automjeteve dhe rritjes se fluksit të lëvizjeve në akset kryesore dhe nëpër qendrat e banuara, policia ka vendosur që disa prej rrugëve të bllokohen.
Po ashtu, për të garantuar mbarëvajtjen dhe pa incidente të festës, mësohet se një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë do të jenë përgjatë gjithë ditës të stacionuar në Elbasan.
Masat e marra nga policia:
1. Të gjitha shërbimet në Drejtorinë e Policisë Elbasan, më datë 13.03.2018 do të kalojnë në shërbim të përforcuar për zhvillimin sa më normal të aktiviteteve festive.
2. Për të përballuar me sukses festimin sa më normal të Ditës së Verës, në ndihmë të shërbimeve të Policisë Elbasan, do të vihen në dispozicion dhe forca nga FNSH Tiranë.
3. Do të merren të gjitha masat për parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale gjatë zhvillimit të aktiviteteve.
4. Nga Policia Rrugore do të kontrollohen të gjitha akset me qëllim për të bërë të mundur qarkullimin normal të mjeteve gjatë zhvillimit të aktiviteteve.
Në këtë plan masash do të angazhohen 321 forca policie nga Elbasani dhe FNSH Tiranë.
Në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e aktiviteteve me rastin e Ditës së Veres Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nuk do të lejojnë lëvizjen apo parkimin e mjeteve në këto akse rrugore:
1. Në orën 07:00 të datës 14.03.2018 deri në përfundim të aktivitetit të Karnavaleve do të bllokohet lëvizja në bulevardin “Aqif Pasha” nga Stadiumi deri tek 1 Maji dhe nuk do të lejohen parkimet e mjeteve nga “Rrethrrotullimi i luleve – Bashkia”
2. Nga stadiumi deri tek “Pallati i Sportit”, nuk do të lejohen parkimet apo qëndrimet e mjeteve.
3. Më datë 14.03.2018 mjetet e tonazhit të rëndë të evitojnë lëvizjen në aksin rrugor Elbasan – Librazhd.
Policia Rrugore krahas masave të marra për mbarëvajtjen e trafikut, njofton se do të ketë dhe një sërë masash për shtimin e kontrollit ndaj përdoruesve të rrugës, që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur, që tejkalojnë normat e shpejtësisë, që kryejnë parakalime të gabuara, etj.