Korridori ballkanik dominon drogën që hyn në Evropë nga Lindja dhe shqiptarët janë pjesë e bandave kriminale të trafikimit të drogës në shumë pjesë të Evropës.
Nga Aida Cama
Shqipëria njihet si vend i prodhimit të hashashit. Ky nuk është lajm i ri. Lajm i ri nuk është po ashtu as që Shqipëria është pjesë e korridorit ballkanik të trafikimit të drogës, që vjen nga vendet e Lindjes. Megjithatë Shqipëria përmendet gjithnjë kur flitet për drogën në Evropë. “Kjo më shumë sepse shqiptarët janë pjesë e bandave kriminale të trafikimit të drogës në shumë pjesë të Evropës,” – thotë për Deutsche Wellen David Johnson, ekspert në Qendrën e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve. Grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë me grupet kriminale nga Greqia, Italia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Turqia.
Korridori ballkanik dominon drogën që hyn në Evropë nga Lindja. Drogat opioide trafikohen nga vendet prodhuese Afganistani, Pakistani dhe Irani duke kaluar tranzit në Turqi dhe Ballkan për të shkuar në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Rruga ballkanike ka disa linja që ndryshojnë vazhdimisht, por linja kryesore e trafikut kalon nga Bullgaria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia dhe Austria, ndërkohë që një linjë më e vogël kalon nga Maqedonia dhe Kosova dhe përdoret kryesisht për magazinimin dhe ripaketimin. “Shqipëria përdoret për të transportuar drogat me rrugë detare në drejtim të vendeve të Evropës Veriore, si Britania e Madhe dhe Estonia,” sqaron David Johnson. Ndërkohë që në drejtimin e kundërt, nga Evropa në Shqipëri hyjnë drogat sintetike.
Rrugët detare dhe ajrore
Në Shqipëri është rritur numri i qendrave të kultivimit të hashashit, që njihet edhe si marijuan apo kanabis, shoqëruar nga ekspansioni i rrugëve detare të trafikimit dhe përpjekjeve për trafikime me rrugët ajrore, thuhet në raportin e Agjencisë së OKB për Kontrollin e Drogave. Për shkak të rritjes së ofertës çmimi i shitjes së marijuanës ka rënë në 100 deri 400 euro për kilogram. Kurse në vitin 2015 çmimi ka qenë 600 deri 1300 euro për kilogram.
Shqipëria mbetet burimi kryesor i marijuanës që hyn në Evropë. Por prodhime shtëpiake të hashashit futen në Evropë edhe nga Islanda, Lituania, Letonia, Holanda, Polonia, Rumania dhe Sllovakia. Ndërsa vendin e parë për hashashin e mban Maroku, por edhe Libia.
Tregu i drogës ilegale në Evropë furnizohet me drogat e prodhuara në shtëpi, të prodhuara në punishte si dhe nga droga që vjen nga pjesë të tjera të botës. Tregu i drogës ilegale në Evropë vlerësohet të sjellë 24 miliardë euro fitim në vit, thuhet në raport. Më shumë se një e treta e grupeve kriminale që operojnë në BE merren me prodhimin, trafikimin dhe shitjen e drogës ilegale, kurse dy të tretat ushtrojnë edhe aktivitete të tjera kriminale. Këto grupe ilegale përdorin teknologji të reja, përfshirë përdorimin e tregjeve online dhe të kripto-valutave, thuhet në raportin e OKB-së.
Numri i konfiskimeve në Evropë vlerësohet të jetë rreth 1 milionë raste në vit, ku pjesa më e madhe është kanabis. Abuzimi me kanabisin në Evropë është pesë herë më i madh se me substancat e tjera ilegale.
Itinerari i heroinës
Pjesa më e madhe e heroinës të sekuestruar në Evropë e ka origjinën nga Afganistani, Irani dhe Pakistani. Ka dy rrugë trafikimi heroine në Evropë, korridori ballkanik dhe korridori jugor. Rreth 40 përqind e heroinës globale dhe morfinës të kapur në Evropë ka kaluar nga korridori ballkanik, një prej korridoreve kryesorë për trafikimin e opiateve në botë.
E ashtuquajtura pjesa rrugore e korridorit ballkanik të trafikimit përfshin Sirinë dhe Irakun. Kjo linjë është përdorur kryesisht për kontrabandën e heroinës nga Irani dhe Pakistani për në Evropë, ose direkt ose nga kontinenti afrikan. Përveç këtij korridori trafikantët përdorin edhe të ashtuquajturën linjë të veriut që kalon nga jugu i Kaukazit mespërmes Detit të Zi.
Kokaina që gjendet në tregun evropian e ka origjinën në Bolivi, Kolumbi dhe Peru. Trafikantët përdorin rrugë të ndryshme për futjen e kokainës në Evropë përfshirë kontenierë transporti detar, jahte, transportin ajror, avionë privatë, dërgesa me postë, pasagjerë që fluturojnë me avion./DW/a.m.