Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Mike Pompeo ka thënë se takimi në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit verikorean, Kim Jong Un, nuk është vetëm për spektakël, transmeton Reuters. “Presidenti Trump nuk është duke e bërë këtë për spektakël. Ai do ta zgjidhë një problem”, ka thënë Pompeo për Fox News.
Shtetet e Bashkuara presin që Koreja Veriore të ndalojë të gjitha testimet raktetore dhe ato bërthamore deri në kohën e mbajtjes së takimit, ka thënë Pompeo dhe Sekretari amerikan i Thesarit, Steve Mnuchin. Pompeo ka thënë se do të vazhdojnë stërvitjet ushtarake amerikane rreth Gadishullit Korean.
Ai ka thënë se Koreja Veriore duhet të tregohet e gatshme për të diskutuar “denuklearizim komplet dhe të verfikuar” të arsenalit të saj. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë sanksionet ekonomike kundër këtij shteti para mbajtjes së takimit, të planifikuar për muajin maj. Pas disa muajve të tensioneve të përshkallëzuara për shkak të programit raketor dhe atij bërthamor të Koresë Veriore, Trump ka vendosur të jetë presidenti i parë amerikan që takohet me liderin verikorean.