Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në një mbledhje joformale të Qeverisë në Athinë i ka prezantuar pikat kryesore të propozim-marrëveshjes që do t’i dorëzohet Shkupit për zgjidhjen e kontestit rreth emrit të Maqedonisë.
Lajmi është publikuar nga mediat greke, por pa dhënë detaje mbi propozimet edhe pse supozohet se ato përmbajnë vijat e kuqe të palës greke, e cila insiston në një zgjidhje, apo emër të ri që do të përdorej si në komunikimet e brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë. Në hartimin e platformës greke thuhet të kenë marr pjesë 60 ekspertë të fushave të ndryshme, raporton Evropa e Lirë.
Siç transmetojnë mediat në Shkup, Kotzias ka propozuar edhe pika të reja që i janë shtuar marrëveshjes e cilat pritet t’u dorëzohet autoriteteve maqedonase gjatë vizitës së tij javën e ardhshme në Shkup.
Një nga propozimet që përmendeshin në media janë Maqedonia e Epërme apo siç duan ta pagëzojnë në origjinal Gorna Makedonija. Por në tryezë janë edhe propozime të tjera.
Vizitën e kryediplomatit grek e konfirmon edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, pa dhënë detaje për përmbajtjen e propozimit grek. Ai tha se me rëndësi është që procesi të përshpejtohet dhe të ketë propozime që në fund të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.
Kryeministri, Zoran Zaev thotë se zgjidhja duhet të përfshijë vetëm ndryshimin e emrit përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare, ratifikimin e saj në Parlamentet e dyja vendeve, votimin e saj në Kombet e Bashkuara si dhe miratimin e një rezolute po nga OKB-ja, si garanci për zbatimin e saj.
ma.me