Ka nisur mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, e thirrur nga kryetari demokrat, Lulzim Basha, për caktimin e një datë të mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, ku do të shqyrtohen propozimet për ndryshime statutore. Një e tyre vijnë nga grupi anti-Basha në PD, të cilët insistojnë për zgjedhje të reja në parti.
Në këtë mbledhje të parë të kryesisë së PD për vitin 2018, Basha është shprehur se ndryshimet në statut janë detyrë e Kuvendit Kombëtar i cili pritet të mblidhet gjatë kësaj pranvere.
“Pikëpamjet e mia ju i dini. Çdokush që ka dëshirë të kontribuojë të ketë hapësirën totale të kontribuojë në proces. Të papenguar nga asnjë pengesë të asnjë forme, qoftë edhe statutore. Të paraqitet për vendimmarrje çdo kontribut për fuqizimin e PD.
Të caktojë kohë të mjaftueshme që propozimet të shqyrtohen.
Të ngrihet një grup proaktiv që për një periudhë dyjavore të mundësojë kontakt direkt me ata që dëshirojnë të kontribuojë.
T’i shqyrtojnë propozimet bashkë me sekretariatin ligjor dhe të kemi një vendimmarrje.
Ky grup pune të përbëhet nga nënkryetarët Edi Paloka, Edmond Spaho, Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, Sekretarët Enno Bozdo, Fatbardh Kadilli si dhe anëtarët e kryesisë Gent Malko e Arben Imami”, ka thënë Basha.