Si paraqitet në Shqipëri hendeku mes femrave e meshkujve sa u përket pagave, aktivitetit të biznesit dhe pjesëmarrjes në politikë. Renditjet ndërkombëtare tregojnë se gratë në Shqipëri përgjithësisht janë të privilegjuara. Megjithatë, ato paguhen më pak se burrat.
Burrat nën hie, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë! Këto vargje të Çajupit janë kthyer në një simbolikë të përpjekjeve të grave shqiptare në shekuj për të mbijetuar e për të siguruar vendin e tyre në shoqëri.
Sot, shifrat flasin në favor të tyre. Hendeku i pagave sa vjen e ngushtohet, madje femrat në poste drejtuese paguhen më shumë sesa meshkujt. Numri i femrave në biznes sa vjen e rritet, ndonëse ato mbizotërojnë në sipërmarrjet e vogla. Në politikë, zëri i tyre dëgjohet gjithnjë e më shumë. Edhe renditjet ndërkombëtare konfirmojnë se Shqipëria ka bërë hapa para në drejtim të barazisë gjinore.
Gratë paguhen 6.3% më pak se burrat
Gratë janë paguar historikisht më pak se burrat në Shqipëri. Por hendeku ka ardhur në ulje vitet e fundit. Në vitin 2014, hendeku gjinor për pagat ishte 10% dhe në 2015-n, zbriti në 6.9%.
Përmirësimi vijoi edhe në 2016-n. Mesatarisht, paga mujore e tyre për vitin 2016 ishte 44,221 lekë, apo 6% më e ulët sesa ajo e meshkujve. Nga 36 profesione që raporton INSTAT, në 25 prej tyre meshkujt paguhen më shumë.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për “Pagën mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas grup-profesioneve dhe gjinisë”, për vitin 2016, femrat me “funksion drejtues administrativë dhe komercialë” kishin një pagë mujore prej 146,143 lekësh, më e larta nga të gjitha profesionet e tjera. Por, kjo pagë është shumë më e lartë edhe se e meshkujve, të cilët paguhen mesatarisht 113,825 lekë, apo rreth 32 mijë lekë apo 28% më pak sesa femrat.
Pas drejtuesve, profesioni i dytë më i paguar tek femrat është ai i “Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”, me një pagë mesatare prej 86,927 lekë, por që është rreth 7% më e ulët sesa e meshkujve.
Me sa duket, punëdhënësit shqiptarë vlerësojnë më shumë femrat në drejtim, pasi edhe në grup-profesionin “Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara” (i treti në listë), femrat kanë një pagë mesatare mujore prej 86,619, rreth 2,200 lekë më të lartë se e kolegëve të tyre meshkuj.
Edhe në shtet, femrat duket se “bëjnë ligjin”. Në kategorinë “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, paga mesatare e meshkujve është 81,031 lekë, rreth 2,240 lekë, apo 3% më e ulët se e femrave.
Profesione të tjera ku femrat paguhen më shumë janë “Asistentë në administrim dhe biznes” (+10.6%); “Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë” (+12.9%); “Nëpunës të shërbimit të klientëve” (+12.3%) etj.
Diferenca është fare e vogël për nëpunësit e zyrave, me rreth 1.3% më shumë në favor të femrave.
Punët më pak të paguara për femrat janë “Punëtorë për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë” dhe “Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare”, me rreth 22 mijë lekë në muaj, por edhe meshkujt paguhen pak a shumë në këto nivele.
Profesionet ku meshkujt paguhen shumë më tepër se femrat lidhen me aktivitete të rënda të dedikuara kryesisht për ta, apo në shërbime ushtarake si p.sh. “Punonjës në industri” (+30%); “Punëtorë në miniera, ndërtim, industri e transport” (+11%); “Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes” (+25%).
Interesant është fakti që ka një diferencë të lartë mes pagesës së femrave dhe meshkujve në fushën e shëndetësisë, në favor të këtyre të fundit. Paga mesatare e meshkujve në profesionin “specialistë të shëndetësisë” është 61,776 lekë, ndërsa ajo e femrave 47,944 lekë, rreth 22% më pak.
Edhe në fushën e teknologjisë së informacionit, meshkujt kanë një pagë mesatare 45,492 lekë, nga 39,090 që e kanë femrat, me këto të fundit që paguhen si rrjedhojë 14% më pak.
Femrat në biznes, sipas INSTAT
Në vitin 2016, përqindja e pronareve/administratoreve gra është 26,8%. Përqindja e grave pronare apo administratore në ndërmarrjet e vogla (1-4 të punësuar) është më e lartë se në kategoritë e tjera. Nga viti 2006 deri në vitin 2016, përqindja e pronareve/administratoreve gra është rritur në të gjitha kategoritë, me rritjen më të madhe në ndërmarrjet me 1-4 të punësuar.
Ndërkohë që në kategorinë e bizneseve me 5 deri në 9 punëtorë kemi një rritje me gati dyfish të numrit të grave administratore ose pronare në pesë vitet e fundit. Numri i pronareve gra ose administratore në bizneset me aktivitet ekonomik prodhues ka pasur një rënie prej 3% në pesë vitet e fundit, ndërsa te sektori i shërbimeve, është rritur me 4%.
Në 2016, sipas shpërndarjes së ndërmarrjeve me pronare apo drejtuese gra në qarqe, vëmë re se në Qarkun e Tiranës kemi përqendrimin më të madh të ndërmarrjeve. Ndërmarrjet që zotërohen apo drejtohen nga burrat në vitin 2016, të përqendruara më shumë në Qarkun e Tiranës, sërish kanë pasur rënie nga 39,3% në 27,93%, gjithashtu ka pasur dhe një rënie rreth 3% për gratë në Qarkun e Tiranës krahasuar me vitin 2011.
Ndërmarrjet e reja në vitin 2016 janë të përqendruara kryesisht në Tiranë. Kjo vlen si për ndërmarrjet e zotëruara apo drejtuara nga gratë ashtu edhe nga burrat. Kukësi mbetet qarku më i ulët me ndërmarrje të reja me pronare/administratore gra për vitin 2016.
Diskriminimi i ndërmarrjeve të huaja
Në të gjithë sektorët e ekonomisë, femrat paguhen më pak sesa meshkujt në Shqipëri, por, për kompanitë me pronësi të huaja diferenca është mjaft e lartë. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar mashkull në ndërmarrjet e huaja, për vitin 2016 ishte rreth 83 mijë lekë, ndërsa për femrat, në po të njëjtën kategori rreth 55 mijë lekë, pra rreth 34% më e ulët.Kjo është diferenca më e madhe e raportuar në pagat mes meshkujve dhe femrave në Shqipëri, për të gjitha llojet e ndërmarrjeve.
Edhe sipërmarrjet e përbashkëta, sërish kanë pagesa më të larta për meshkujt sesa femrat, ku paga mesatare për meshkujt arrin në 64 mijë lekë, 30% më e lartë sesa ajo e femrave.Diferenca është më e ulët në kompanitë shtetërore, ku paga mesatare mujore e femrave është rreth 53 mijë lekë, 8.7% më e ulët se ajo e meshkujve. Në kompanitë private shqiptare diferenca është 10.6%, po në favor të meshkujve.
Shqipëria e 38-a në botë për hendekun gjinor
Forumi Ekonomik Ndërkombëtar, në raportin e vitit 2017, tregon se Shqipëria gjendet e 38-a në listën globale për hendekun gjinor, në studimin e 144 ekonomive botërore.
Krahasuar me rajonin, shqiptarët i “trajtojnë” femrat më mirë se sa fqinjët. Serbia është e renditur në vendin e 40, Maqedonia e 67-a, Mali i Zi në vend të 77, Bosnjë dhe Hercegovina e 66. Vijon të jetë çudi rasti i Greqisë, i treti vit ky që rezulton me një performancë më të ulët në barazi gjinore se sa vendi ynë, i renditur në vendin e 78-të.
Sipas raportit më të fundit të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, Shqipëria gjendet e 38-a në rang global për hendekun gjinor, e krahasuar me një vit më parë, vendi ynë është përmirësuar me 23 pozicione, ku renditej i 61 në botë.
Për të realizuar këtë studim, janë marrë në konsideratë disa kritere: gjendja shëndetësore e grave, e drejta e tyre arsimore, pjesëmarrja e tyre në politikën dhe ekonominë e vendit dhe mënyra si trajtohet, si mbijeton etj.
Sipas këtyre kritereve, shqiptarët performojnë më mirë, të renditur në vendin e 31 në botë, për fuqitë politike që zotërojnë gratë, për të cilat raporti nënvizon se ky kriter e ka bërë që vendi ynë të ngjisë shumë shkallë. Ndërsa performancën më të ulët e ka në mundësitë për shëndet, të renditur të 120. Për pjesëmarrje të drejtë në ekonomi dhe mundësi për këtë, renditemi në vendin e 70, ndërsa për edukim të 87 në botë.
Vendet nordike konsiderohen sërish “ajka” e shoqërive demokratike, ku për herë të tretë, Islanda mban vendin e parë. Në fund të listës gjenden Irani, Siria dhe Jemeni, që lidhet jo vetëm me konfliktet, por edhe zakonet dhe traditat, citon raporti.
Gratë në politikë
Barazia gjinore është një nga çështjet më të lakuara në mijëvjeçarin e ri dhe mesa duket Shqipëria, të paktën për sa u përket posteve ministrore ka bërë hapa para. Nga të dhënat e OurWorldinData, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të grave që kanë poste ministrore. Në vitin 2016, 40% e posteve mbaheshin nga gratë, një shifër shumë më e lartë se të gjitha vendet e tjera të rajonit, por edhe në botë.
Nga të dhënat, pesha e ministrave femra është dy herë më e lartë se në Maqedoni, ku femrat përfaqësojnë vetëm 26.3% të posteve, dyfish më shumë se në Bosnjë ku përfaqësimi është vetëm 22.2% dhe se në Greqi 21.1%.
Përfaqësimi i grave është shumë më i ulët në Malin e Zi, ku vetëm 20% e posteve përfaqësohen nga gratë. Turqia renditet e fundit ku vetëm, 3.8% e posteve ministrore kanë një grua si drejtuese.
Ndër vendet që kanë përqindjen më të lartë të posteve që drejtohen nga gratë janë vendet si Kanadaja, Vendet Skandinave, disa vende të BE-së, si Spanja, Franca, Vendet e Beneluksit, dhe Gjermania.
Normë të lartë të përfaqësimit në poste ministrore ka edhe Afrika e Jugut. Në këto vende gratë tejkalojnë numrin e burrave në kabinet.
Nga vendet me përfaqësim të ulët, janë vendet e botës arabe, ku në një pjesë të tyre gratë nuk janë të lejuara që të marrin pjesë në votim.
Në përgjithësi, edhe vendet e Europës Lindore kanë një normë të ulët të përfaqësimit në kabinetin qeveritar. /Monitor/a.m.