Nga Davis Florick/
Ndërsa pjesëmarrja e Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore të 2018 dhe bashkëpunimi i saj me Korenë e Jugut janë pozitive, askush nuk duhet të harrojë që Pyongyang ka një histori të gjatë të përpjekjeve për të manipuluar Seulin. Në tri raste të mëparshme, të dokumentuara mirë, regjimi i Kim ka ndjekur angazhimin strategjik me Korenë e Jugut. Në përgjithësi, motivet e Koresë së Veriut për angazhim plotësojnë një ose më shumë nga tre kritere: ndjehet e kërcënuar nga ngjarjet e jashtme; është në nevojë serioze për ndihmë; ose percepton një mundësi për të krijuar tension midis Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
Përpjekjet e Kim Jong-un gjatë Olimpiadës 2018 përmbushin dy prej këtyre tre kritereve. Gatishmëria e Phenianit për të rritur bashkëpunimin me Seulin gjatë Olimpiadës Dimërore 2018 bazohet në nevojën e Koresë së Veriut për ndihmë dhe lehtësim të sanksioneve, si dhe në perceptimin se ekziston tension midis Presidentit të Koresë së Jugut Moon-Jae-in dhe Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Seuli dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të bien pre e dredhisë propagandistike të Kim Jong-un.
Historikisht, tri përpjekjet e mëparshme të angazhimit të Koresë së Veriut me Korenë e Jugut janë motivuar nga rrethana ekstreme. Së pari, udhëtimi i presidentit Richard Nixon në Kinë në vitin 1972 ishte një moment dramatik për Gadishullin Korean. Koreja e Veriut u shqetësua se një ndryshim në politikat kineze mund t’i kushtojë Phenianit një mbrojtës të madh. Udhëheqësi i Koresë së Veriut në atë kohë, Kim Il-sung, gjithashtu besonte se SHBA-ja mund të tërhiqej nga Azia Lindore, duke lënë Korenë e Jugut të ndjeshme.
Së dyti, rënia e Bashkimit Sovjetik dhe Pakti i Varshavës si dhe rritja e njohjes ndërkombëtare të Koresë së Jugut, nga ana e saj, e la Korenë e Veriut jashtëzakonisht të pambrojtur. Deklarata e Përbashkët e 1992 e Denuklearizimit të Gadishullit Korean ishte përpjekje e Kim Il-sung për të hequr armët bërthamore të SHBA-ve nga gadishulli, duke reduktuar në mënyrë dramatike kërcënimin e perceptuar nga Koreja e Jugut dhe aleatët e saj.
Së treti, Kim Jong-il përdorte Politikën “Sunshine” të Kim Dae-jung dhe Roh Moo-hyun (1998-2008) për të blerë valutë të jashtme dhe ndihmën e nevojshme. Duke pasur parasysh tensionin mes Koresë së Jugut dhe SHBA-së në atë kohë, Kim Jong-il shpresonte që Seuli mund të largohej më tej nga Uashingtoni. Është e qartë se mbijetesa e regjimit dhe shpresa se forcat e armatosura të SHBA-së mund të largohen nga gadishulli, në pjesën më të madhe, kanë udhëhequr politikën e Koresë së Veriut ndaj Jugut.
Kim Jong-un po përdor vullnetin e mirë që vinte si rrjedhojë e Lojërave Olimpike Dimërore 2018 për të arritur dy qëllime. Shqetësimi i tij afatshkurtër dhe më i ngutshëm është ndihma ushqimore dhe lehtësimi i sanksioneve. Koreja e Veriut kërkon rreth pesë milionë ton drithëra në vit. Në vitin 2017, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë raportoi se reshjet gjatë sezonit të pikut të rritjes ishin në nivelin më të ulët që nga viti 2001, kur prodhimi i drithërave ishte vetëm dy milion ton. Në kombinim me thatësirën, sanksionet mund të kenë një ndikim më të madh sesa atë të parashikuar.
Sistemi i shpërndarjes së ushqimit, i paefektshëm në rastin më të mirë, tani po siguron vetëm 300 gram ushqime për person, në ditë. Këto presione mund të ndihmojnë në shpjegimin e rritjes së anijeve të peshkimit të Koresë së Veriut të rimarrë nga Japonia, me 104 “anije fantazmë” vetëm në vitin 2017, pasi ata kërkojnë të zgjerojnë rrezën e tyre.
Qëllimi i dytë dhe më afatgjatë i Pyongyang është të krijojë tension midis Koresë së Jugut dhe SHBA-së. Gjatë periudhës së Politikës Sunshine, Kim Dae-jung dhe Roh Moo-hyun, ish-presidentë të Koresë së Jugut, sakrifikuan marrëdhëniet pozitive me Uashingtonin në shpresën e përmirësimit të marrëdhënieve me Kim Jong-il. Është shumë e mundshme që Kim Jong-un mund të përpiqet të udhëheqë Moon Jae-in drejt një rruge të ngjashme sot. Duke pasur parasysh tensionin e perceptuar midis presidentëve Moon dhe Trump, Kim Jong-un mund të besojë se mundësia e përçarjes serioze midis Koresë së Jugut dhe SHBA-së është e mundur.
Duke lënë mënjanë mundësinë që Koreja e Jugut të bëjë një kërkesë për tërheqjen ushtarake të SHBA-së ose që SHBA-të ta bëjnë një gjë të tillë në mënyrë të njëanshme, pse Koreja e Veriut do t’i jepte përparësi këtij veprimi? Deri më sot, udhëheqja e Koresë së Veriut fajëson për dështimin e saj për ribashkimin e gadishullit, praninë e SHBA-së në Jug. Regjimi Kim mendon se Koreja e Jugut nuk ka bindje dhe prandaj mund të thyhet.
Që nga viti 1953, Pyongyang ka argumentuar se forcat amerikane shpëtuan regjimin shtypës të Koresë së Jugut në Seul gjatë Luftës Koreane dhe se populli i Koresë së Jugut do të rebelohej kundër asaj qeverie nëse nuk do të mbështetej nga Uashingtoni. Duke nxjerrë paralele midis Koresë dhe Vietnamit, Kim Il-sung përdori fitoren e Vietnamit të Veriut kundër Vietnamit e Jugut pasi forcat e armatosura të SHBA-ve u larguan, si justifikime të mëtejshme të pretendimeve të tij.
Për regjimin Kim, dështimi i saj për ribashkimin e Koresë mund të shpjegohet vetëm me ndërhyrjen e jashtme. Që prej shekujsh, koreanët e veriut janë konsideruar më agresivë dhe të fortë – shumë më tepër militaristë sesa homologët e tyre jugorë. Më tej, ekstremja e majtë në spektrin politik të Koresë së Jugut, me simpati ndaj idealeve komuniste, historikisht ka qenë e dashuruar me Korenë e Veriut.
Disa kanë argumentuar se përpara themelimit të Koresë së Veriut në vitin 1948, qendra intelektuale e komunizmit e Gadishullit ishte në Seul, e udhëhequr nga Pak Chang-Ok. Regjimi i Kim ishte në gjendje të përdorte këtë ndjenje të sinqertë gjatë Luftës së Koresë dhe ka tentuar të ofrojë fonde dhe mjete të tjera të mbështetjes që atëherë. Edhe sapo përfundoi Lufta Koreane, Pyongyang u përpoq në mënyrë të përsëritur që të minonte kredibilitetin politik të Seulit nëpërmjet shtrëngimit ushtarak dhe partive politike të ekstremit të majtë, siç ishte mbështetja e saj ndaj Partisë Demokratike të Punës.
Bazuar në këto faktorë, regjimi Kim vazhdon të argumentojë se prania e SHBA-ve është arsyeja për dështimin e ribashkimit të gadishullit dhe do të vazhdojë një proces prej 30 vjetësh, duke kërkuar që forcat e SHBA-ve të largohen nga rajoni.
Fushata e vullnetit të mirë të Kim Jong-un pas Olimpiadës është një bast i rrezikshëm që synon të përdorë bujarinë dhe dëshirën për përparimin e ri-bashkimit të Moon Jae-in, me synimin final të ndihmës ushqimore dhe lehtësimin e sanksioneve. Seuli duhet të kuptoj se një përsëritje e praktikave të Politikës Sunshine – ndihmë pakushte ndaj Phenianit – lejon Korenë e Veriut të vazhdojë të neglizhojë popullin e saj dhe të japë përparësi në shpenzimet e mbrojtjes.
Për periudhën afatgjatë, regjimi i Kim vazhdon të mbajë shpresën se mund të gjejë një mënyrë për të nxitur forcat e armatosura të SHBA-së të largohen nga Koreja e Jugut – hapi kritik për pushtimin ushtarak të Jugut për ribashkimin e gadishullit. Tani çështja është se si lidershipi i Koresë së Jugut do të reagojë ndaj qasjes së re të Kim Jong-un për hapje dhe veprime vetë-shërbyese./The Diplomat