Është e dhimbshme por e vërtetë. Për të udhëtuar sot nga Tirana drejt Durrësit me tren ka vetëm një orar ditor: në 06:20 të mëngjesit.Largimi i stacionit të trenit nga qendra e Tiranës në Kashar dhe gjendja mjerane e hekurudhës shqiptare kanë bërë që pasagjerët të numërohen me gishta, në atë që duhet të ishte linja kryesore për transportin e udhëtarëve me tren.
Dhurata Sofi, punonjësja e hekurudhës, tregon nga sporteli që shet bileta se më shumë pasagjerë ka në verë: “Sezoni i verës është i populluar, por tani në dimër, vështirë… Ndikon koha dhe vendi që është paksa larg qendrës”.
Treni me dy vagonë niset në orar. Prej 1 marsit, gazetari i Top Channel ishte pasagjeri i parë që udhëtonte me tren nga Tirana drejt Durrësit. Gjendja e vagonëve është shumë e keqe. Xhama që goditen çdo ditë dhe sedilje të shkatërruara.
Lokomotiva është prodhim çekosllovak i viteve ‘80. Makinisti Muhamet Lika ka një jetë në hekurudhë dhe tregon për vështirësitë e rreziqet e përditshme.
“Problem janë kalesat e paligjshme, ndërtimet shumë afër… Ka njerëz të papërgjegjshëm. I bie sirenës dhe nuk reagojnë fare”, tregon Lika.
Degradimi filloi pas viteve ’90. Hekurudha çdo vit ka dalë me humbje. Fakti që treni Tiranë-Durrës ka disa ditë që udhëton pa asnjë pasagjer flet vetë për rezultatet financiare. Sot, semaforët nuk punojnë dhe lejimi i kalimit bëhet vetëm me urdhra që merren me shkrim në çdo stacion që ndalohet.“Përpara ka qenë çdo gjë në parametrat e duhur, rruga shumë e mirë”, thotë makinisti.
Qeveria shqiptare, e nxitur nga Bashkimi Evropian, ka në plan të bëjë investimin e parë serioz në hekurudha pas 28 vitesh. Janë 90 milionë euro fonde që janë siguruar për të rehabilituar hekurudhën Tiranë-Durrës. Stacioni i trenit do të kthehet pranë zonës së Bulevardit të Ri në kryeqytet. Një degëzim i ri do të bëhet me aeroportin e Rinasit, ndërkohë që në projekt janë parashikuar edhe lokomotiva dhe vagonë të rinj.(TCH)