Tension shumë i lartë në Britaninë e Madhe për atë që mund të rezultojë një çështje e re “Litvinenko”, ish-agjenti i KGB i vrarë në vitin 2006 në Londër me një dozë vdekjeprurëse me përmbajtje radioactive.
Një ish-spiun rus, koloneli i inteligjencës ushtarake Sergej Skripal është shtruar në spital me urgjencë, në kushte të rënda, bashkë me të bijën 33-vjeçare, Yulia në spitalin e Salisbury.
Të dy u gjetën pa ndjenja në një stol të një qendre tregtare.
Por më e çuditshmja që ndez edhe sirenat e alarmit qëndron në faktin se qendra tregtare, urgjenca dhe zona të tjera përreth qytetit janë izoluar dhe kanë ndërhyrë ekipet e kundra-helmimit, të veshura me skafandrat e rënda.
Hipoteza është që kemi të bëjmë me një helmim me një substancë të panjohur dhe potencialisht shumë të rrezikshme.
Deri këtu janë të gjitha elementë të kronikës së zezë, por për tu ndërthurur menjëherë me ato të sportit të futbollit. Sipas asaj që raportojnë tabloidë të ndryshëm anglezë, mes të cilëve edhe gjiganti “The Sun”, ministri i brendshëm të Anglisë, Boris Johnson tha sot në parlament se përfaqësuesja angleze nuk do të marrë pjesë në Botërorin që do të zhvillohet në Rusi, në rast se do të vërtetohet që Skripal është helmuar nga strukturat e ish-Bashkimit Sovjetik.
Fjalët e ministrit nuk kanë ndezur asnjë reagim nga ana e Federatës Angleze, ndonëse deklarata e tij ka bërë për të diskutuar.