Numri i lindjeve në Kosovë në shtatë vitet e fundit ka shënuar rënie për më shumë se 10 mijë lindje më pak. Ndërsa faktorët kryesorë të rënies së natalitetit në Kosovë, konsiderohen kushtet e vështira ekonomike, Ligji i lehonisë, planifikimi familjar si dhe emancipimi i femrës.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2010 janë regjistruar gjithsej 33,966 lindje, kurse në vitin 2016 janë evidentuar 23,494 lindje. Kurse, vetëm në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në vitin 2016 janë regjistruar 10,139 lindje, ndërsa për vitin 2017 janë regjistruar 10,161, kurse në dy muajt e parë të vitit 2018 janë regjistruar rreth 1,442 lindje. Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Myrvete Paçarada rënien e natalitetit në Kosovë e arsyeton me faktin se femrat në Kosovë po i përkushton më shumë karrierës. Ajo ligjin e lehonisë në Kosovë dhe planifikimin familjar i sheh si faktorë që po ndikojnë në rënieve e natalitetit në vend.
Sipas saj, rënia e lindjeve mund të merret edhe si trend pozitiv nëse është e planifikuar.
“Në një mënyrë edhe rënia e numrit mund të merret edhe si trend pozitiv nëse është e planifikuar, nëse kemi këtë ngritje intelektuale të vajzat tona, por në mënyrën tjetër Kosova kurrë nuk ka mjaftë fëmijë, ne kemi nevojë për fëmijë dhe iu apeloj të rinjve që të lindin sa më tepër fëmijë“, tha ai. Ajo shtoi se pushimi i lehonisë i cili i jep të drejtë nënave që të pushojnë 12 muaj stimulon nënat që të lindin më shumë se një fëmijë.
Ndërsa, sipas sociologut Besim Gollopeni faktorët që kanë ndikuar në rënien e lindjeve në Kosovë janë migrimet, emancipimi i femrës, planifikimi familjar, kushtet e vështira sociale e ekonomike në Kosovë.
“Përveç shkaktarëve të lëvizjeve mekanike apo migrimeve të brendshme apo të jashtme të popullsisë, veçanërisht ato të jashtme. Natyrisht që kemi edhe aspekte tjera socio ekonomike, kulturore gjë që kemi të bëjmë me një progres sa i përket emancipimit e në veçanti emancipimit të femrës dhe natyrisht që sot bëhen planifikime familjare për numrin e fëmijëve dhe mënyrën e rritjes së atyre fëmijëve dhe natyrisht se edhe kjo ka pasur impaktin e vetë. … Janë kushtet ekonomike të cilat shumë të rinj i bëjnë që të shtyjnë hyrjen në martesë për shkak të gjendjes së rëndë sociale ekonomike në vend, shkallës së lart së papunësisë, varfërisë, mungesës së perspektivës për këta të rinj. Një pjesë e madhe e të rinjve në veçanti e gjinisë femërore më e theksuar është ku duan më shumë të përkushtohen në karrierë tek pastaj të krijojnë familje”, tha ai. Sipas tij, edhe divorci dhe mungesa e politikave popullative në Kosovë kanë ndikuar në rënien e natalitetit në vend.
Ndryshe, sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2010 janë regjistruar 33,966 lindje, në vitin 2011 ka një ngritje të lindjeve të regjistruar në 34,449 lindje, në vitin 2012 janë regjistruar 27,912 lindje, për vitin 2013 janë regjistruar gjithsej 29,459 lindje, në vitin 2014 nga ASK janë regjistruar gjithsej 26,087 lindje, në vitin 2015 janë regjistruar 24,716 lindje, ndërsa në vitin 2016 janë regjistruar 23,494 lindje.
Në Kosovë, Ligji i punës parashikon që për secilin fëmijë të lindur nënës t’i takojë pushimi i lehonisë prej një viti, me pagesë prej 70 për qind të pagës të cilën është i obliguar t’ia paguajë punëdhënësi, 3 muaj pagesë të pagës mesatare në Kosovë, të cilën e bën Qeveria e Kosovës dhe tre muaj të tjerë pa pagesë, përgatiti Telegrafi. (b.an)