Pas takimit të kryeministrave të rajonit me Presidentin e KE-së, Jean-Claude Juncker, shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, Komisionerin e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe kreyministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov, vend i cili ka Presidencën e radhës së BE, kryeministri Rama ka dhënë një deklaratë për mediet përmes rrjeteve sociale dhe televizionit të tij “ERTV”.
“Ky është një takim përmbyllës i presidentit të Komisionit Europian, Juncker, përfaqësueses Mogherini dhe Komisionerit të Zgjerimit, Hahn, pas stacioneve në Ballkan, me një bilanc që unë e konsideroj pozitiv të shtruar nga presidenti Juncker dhe për vënien e theksit te Procesi i Berlinit për financimet e mundshme në rajonin e Ballkanit, ku autostrada adriatiko-joniane është prioriteti kryesor”, deklaroi Rama.
“Ajo që vlen të theksohet për publikun shqiptar është këndvështrimi shumë pozitiv i kësaj tresheje që është ajo e referencës për vendet anëtare lidhur me ecurinë dhe gatishmërinë e Shqipërisë, ku ne presim një rekomandim pozitiv dhe më pas miratimin e vendeve anëtare. Kështu funksionon ky proces, por ka një mirëkuptim të gjerë për hapat para që ka bërë Shqipëria”, shtoi më tej kryeministri.
Në fund, kreu i ekzekutivit shqiptar ritheksoi faktin se operacioni i fundit policor antidrogë mori vlerësime pozitive mes europianëve.
“Vlen të theksohet në fund se edhe operacioni i fundit policor pati një jehonë shumë pozitive dhe u vlerësua maksimalisht duke pasur parasysh se ngarkesa e kapur përbën sasinë më të madhe të kapur prej nesh, por që përpara se të vinte në vendin tonë kishte kaluar në portet e vendeve të BE-së dhe u shpëtoi kontrolleve. Ky ishte një operacion mirëfilli i agjencive tona ligjzbatuese, pa sinjalizim nga partnerët tanë. Në këtë rast është treguar gatishmëri dhe integritet i lartë i forcave tona të angazhuara kundër trafiqeve. Faza e parë e mbyllur me sukses për çrrënjosjen e kanabisit i ka lënë vend fazës së dytë të gatishmërisë sonë për të luftuar çdo trafik tjetër të mundshëm”, deklaroi kryeministri Rama.
a.ç