Një i moshuar me probleme shëndetësore është bllokuar nga dëbora për disa orë në fshatin Vela. Familjarët kanë kërkuar ndihmë e Emergjencave Civile, që ndërhynë duke e dërguar në spital me helikopter 65-vjeçarin. Aktualisht i moshuari ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve, ndërsa fshati Vela, po ashtu edhe disa të tjerë në të gjithë qarkun janë të bllokuar nga reshjet e dëborës që kanë rënë në ditët e fundit.
Ndërkohë që temperaturat e ulta që shkuan deri në -10 gradë sot, kanë krijuar probleme në akset nacionale të qarkut juglindor. Prezenca e akullit në rrugë ka qenë e pranishme mëngjesin e sotëm por kriposja e akseve nga firmat nënkontraktore kanë bërë që situata të mbahet nën kontroll.
Momentalisht të gjitha akset nacionale janë të kalueshme lehtësisht ndërsa përjashtim bën vetëm aksi nacional që të çon në pikën turistike të Dardhës. Aks i cili është pjesërisht i kalueshëm me zinxhirë. Për sa i përket zonave të thella malore situata vijon të jetë e njëjtë, me fshatra të izoluar sic janë Lekasi, Trebinja, Mokrra e sipërme dhe e poshtme etj.
Pikërisht në këto zona forcat e ushtrisë janë vënë në lëvizje për të hapur rrugët që të çojnë në këto njësi administrative dhe normalizimin e situatës. Problem vijon të mbetet edhe furnizimi me energji elektrike në ato zona ku ka patur defekte të linjës shpërndarëse të energjisë. Si pasojë e temperaturave të ulta në disa fshatra të qarkut të Korcës mësimi është zhvilluar me orare të reduktuara ndërsa në zonat e bllokuara prej ditësh procesi mësimor është pezulluar.
a.ç