Irani ka thënë se sulmet kundër “terroristëve”, jashtë Damaskut, do të vazhdojnë, mirëpo Teherani dhe qeveria siriane do të respektojnë armëpushimin 30-ditor të OKB-së, në pjesën tjetër të territorit të Sirisë.
Shefi i stafit të ushtrisë iraniane, gjenerali, Mohammad Baqeri, është cituar të ketë thënë sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, se Irani dhe Siria do të veprojnë në përputhshmëri me rezolutën e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
“Disa pjesë në periferi të Damaskut, të cilat kontrollohen nga terroristët, nuk janë të përfshira në armëpushim andaj operacioni i pastrimit do të vazhdojë atje”, është cituar të ketë thënë Baqeri, raporton Radio Evropa e Lirë.
Dëshmitarët dhe monitoruesit kanë thënë se dhuna është pakësuar dukshëm në zonat afër Damaskut, pas arritjes së marrëveshjes. Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani, ka thënë se forcat qeveritare kanë kryer sulme të reja në Gutën Lindore më 25 shkurt, mirëpo nuk është raportuar për viktima, prej arritjes së marrëveshjes.
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të zhvillojnë bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me zbatimin e armëpushimit 30-ditor në Siri, ka njoftuar presidenca franceze. Bisedimet, që pritet të zhvillohen me telefon janë njoftuar pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka votuar më 24 shkurt në mënyrë unanime për një armëpushim në Siri, përgatiti Koha. (b.an)