Policia e Shtetit ka zbardhur krimin makabër ndodhur në Vlorë në muajin Janar të këtij viti ku nënë e bir, pasi u masakruan me mjet prerës, u dogjën në banesën e tyre.
Bëhet fjalë për ngjarje ku mbetën të vdekur Selkie dhe Olsi Hoxhallari.
Policia ka arrestuar 2 muaj pas ngjarjes nusen e shtëpisë, shtetasen Hysnie Hoxhallari, e cila është bashkëshortja e viktimës Olsi Hoxhallari.
Po ashtu, policia ka prangosur edhe bashkëpunëtorin e saj, shtetasin Kasëm Pirjasi.
Nusja Hysnie Hoxhallari e arrestuar sot së bashku me bashkëpunëtorin në krim Kasëm Pirjasi, dyshohet se ka pasur një lidhje dashurie me këtë të fundit.
Pikërisht kjo lidhje jashtëmartesore dyshohet se ka çuar në krimin e dyfishtë të ndërmarrë nga nusja e shtëpisë 32-vjecare në bashkëpunim me të dashurin e saj 26-vjecar nga Fieri.
*Banesa e djegur ku u gjetën të pajetë nënë e bir
Hetimet
Strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, finalizuan operacionin e koduar “Devijimi”, ku është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në muajin Janar 2018 në lagjen “24 Maji” Vlorë.
Ky operacion erdhi si rezultat i punës profesionale të pandërprerë, duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor, të cilat çuan në dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së vrasjes së dyfishtë dhe të djegies së trupave të dy shtetasve, nënë e bir.
Hetimet intensive nisën menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në muajin janar, ku u gjetën të pajetë e të djegur në banesën e tyre shtetasi O.H. dhe nëna e tij shtetasja S.H., pasi nga grupi hetimor u krijua bindja se nuk kishim të bënim me një ngjarje aksidentale, por me një vrasje.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: Hysnie Hoxhallari, 32 vjeçe, banuese në Vlorë. Kasëm Pirjasi, 26 vjeç, banues në Strum, Fier.
Të dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar e më pas kanë vrarë shtetasit O.H., e S.H., si dhe kanë shkaktuar zjarr në banesë me qëllim fshehjen e provave duke synuar për ta devijuar ngjarjen si “aksidentale”.
Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar arma e ftohtë me të cilën dyshohet se është kryer krimi (mjet prerës i fortë prej metali). Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim”, e parashikuar nga nenet 79/dh dhe 25 të Kodit Penal.
VIDEO/ Dogji burrin dhe vjehrrën, nusja kërkonte drejtësi pas ngjarjes…
/a.m.