Në kryeqytet po bie sërish borë. Reshjet kanë nisur rreth orë 15:45, ndërsa vijojnë të bien papushim.
Dhjetëra qytetarë kanë dalë në rrugë duke iu gëzuar fenomenit të rrallë në kryeqytet.
Edhe mëngjesi i sotëm e gjeti Tiranën të zbardhur nga dëbora, e cila u shkri shumë shpejt për shkak të reshjeve dhe ngritjes së temperaturave.
Sipas sinoptikanëve, deri në mbrëmje reshjet shtohen lehtësisht në të gjithë vendin duke bërë që në orët e natës dhe mëngjesin e së mërkurës dëbora të shfaqet edhe në zonat e ulëta dhe bregdetare. Sipas Meteoalb, paraditja e së mërkurës do të ketë kthjellime të shkurtra dhe vranësira të shpeshta në të gjithë vendin duke rrezikuar thuajse të gjithë territorin nga reshje të pakta dëbore, përjashtuar zonat Jugperëndimore. Ndërsa gradualisht pasditja dhe nata sjellin përmirësim të motit duke sjellë edhe kthjellime.
Temperaturat e ajrit ulen sonte në mbrëmje dhe gjatë natës duke shënuar sipas zonave nga -3°C në 0°C në zonat e ulëta dhe bregdetare (përjashtuar jugperëndimin) dhe -8°C në zonat malore (përjashtuar zonën Radomirë – Shishtavec ku pritet -11 apo -12°C). Edhe mesdita mbeten me temperatura të ulëta ku maksimumi në rang territori pritet të ngjitet në 8 – 9°C.