Ylli i Paris Saint-Germainit, Neymar, do të mungojë një muaj për shkak të një dëmtimi në këmbën e djathtë dhe si pasojë pritet ta humbasë ndeshjen e kthimit në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.
Braziliani u lëndua në fitoren 3-0 të PSG kundër Marseille të dielën në kuadër të Ligë 1, dhe u detyrua ta lërë fushën e lojës i përlotur.
Teksa testet fillestare treguan se ai nuk ka pësuar thyerje apo përdredhje serioze të kyçit të dielën mbrëma, ato pasuese kanë konfirmuar se ai e ka thyer njërën prej eshtrave të këmbës.
“Testet e plotësuese të kryera sot konfirmojnë se ka një ndrydhje të brendshme të nyjës së djathtë dhe po ashtu edhe një thyerje në ashtin e pestë të këmbës”, thuhet në komunikatën e PSG-së të publikuar mbrëmë.
PSG nuk ka treguar se kur do të rikthehet Neymar, por lëndimi i tij kërkon më së paku një muaj pushim – gjë që konfirmon se ai nuk do të jetë në gjendje të paraqitet për PSG-në kundër Real Madridit në Ligë të Kampionëve. /a.m.