Ministri i Shtetit për Diasporen Pandeli Majko zhvilloi një vizitë pune në Gjermani, ku u takua me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe politikës gjermane.
Një takim i rëndësishëm ishte ai me përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në Dusseldorf. Arsimi shqip në Gjermani, vendosja e standardeve të përbashkëta arsimore me Kosovën dhe problematika të komunitetit shqiptar atje, ishin mes çështjeve të diskutuara gjate takimit.
Arsimtarët e njohën Ministrin me situatën e arsimit shqip në landin e Rinit Verior-Vestfali, ku siç thanë, në ato qytete ku mundësohet shkollimi shqip, pjesëmarrja e nxënësve është e konsiderueshme, por mund të ishte më e lartë. Përfaqësuesja e Këshillit të Arsimtarëve e vuri theksin tek potenciali i brezit të ri në Gjermani që po mëson shqip dhe kërkoi më shumë bashkëpunim për krijimin e lehtësirave për ta.
U diskutua për kurikulën dhe rolin e teknologjisë në mësimin e gjuhës shqipe. Ministri i Shtetit për Diasporën prezantoi iniciativat që po ndërmerr në këtë aspekt, si ato të librave online dhe krijimit të një rrjeti të profesionistëve në internet. Ai u ndal tek nevoja e një aktiviteti të përvitshëm të librit apo mbledhje të tjera që do të mundësonin komunikime e bashkëpunime të dobishme.