Ministri i Industrisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar lidhur me hetimin e ndërmarrë për abuzimet me fondet e rrugës Tiranë-Elbasan.
Gjiknuri është thërritur nga prokurorët për të dhënë dëshmi lidhur me informacionet që disponon për çështjen.
Ai është thirrur në prokurori pasi më herët kanë dhënë dëshmitë e tyre ish-ministrat e Transporteve Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj.
“Unë nuk kam asgjë për të shtuar. Ato gjëra janë të paraqitura në audit. Unë nuk jam këtu për të bërë hetime, i kam thënë shkeljet në audit. Në cilësinë e personit kallëzues, kam dhënë dëshminë time mbi gjetjet e auditit.” tha Gjiknuri në një prononcim të shkurtër pas dëshmisë së dhënë.
Ndërkohë, ishte ministri aktual Gjiknuri ai që depozitoi kallëzimin në prokurori. Në pranga lidhur me këtë çështje janë vënë dy ish-drejtorët e Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika i cili ka mbajtur postin gjatë mandatit të qeverisjes PS-LSI dhe Andi Toma, i cili ka qenë në periudhën kur në pushtet ishte koalicioni PD-LSI.
Po ashtu, janë arrestuar edhe Albens Alite dhe Aksel Qurduka, dy ish-drejtuesit e Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
/a.m.