Ish-kryeministri Aleksander Meksi kujton me nje shkrim te botuar vite me pare ate qe ndodhi ne Ambasadën Sovjetike në Tiranë, më 19 shkurt 1951, ku “incidenti” i bombes mori jeten e 22 personave, intelektuale e njerez te njohur te kohes.
Meksi kujton se aso kohe ishte 12 vjeç dhe ndiqte vitin e fundit të shkollës 7 vjeçare, por mban mend shumecka, pasi ka qene ne shoqerine e te atit ne disa takime te zhvilluara.
“Sot mbas 58 vitesh nuk ka si të mos e ndjesh veten ngushtë që njerëz të racës sonë u ulën kaq poshtë, u treguan kaq barbarë. Ndriçimi i të vërtetës me këto fakte vlen dhe për të dënuar këtë akt të llahtarshëm, ideatorët e tij, strukturat që i realizuan dhe ata që i mbrojnë sot me këmbëngulje”- shkruante Meksi me 14 Shkurt 2009.
ALEKSANDER MEKSI
Edhe njëherë mbi bombën në Ambasadën sovjetike
I ashtuquajturi “Incident” i bombës që u hodh në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, më 19 shkurt 1951, përbën një shembull mjaftë kuptimplotë i politikës së terrorit, që Partia e komunistëve shqiptarë e instaloi qysh gjatë Luftës për të ardhur në pushtet, e pas marrjes së pushtetit, për ta mbajtur atë me çdo kusht. Kjo ngjarje tejet tragjike dhe e dhimbshme, na paraqitet e plotë dhe në mënyrë të hollësishme, pra në të gjitha aspektet e saj historike e juridike, në një libër të botuar nga Uran Butka : “Bombë në Ambasadën Sovjetike”. Libri, që rimerr këtë ndodhi së dyti, pas përfshirjes në vëllimin “Ringjallje” të botuar në vitin 1995, është fryt i një pune të mirëfilltë kërkimore në Arkivat kohës. Studimi mbështetet në fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme si dhe dëshmi të protagonistëve, të cilat hedhin dritë mbi këtë krim dhe autorët e saj, njerëzit e kupolës së Partisë së komunistëve shqiptarë.
Kujtimet e asaj kohe dhe përshtypjet e mia për atë ndodhi më kanë bindur përherë se ajo ishte një marrëzi kriminale që nuk duhet përsëritur kurrë. Me atë veprim, regjimi komunist tregoi qartë se për pushtetin e vet ishte i gatshëm të ecte mbi trupa njerëzish, ishte i gatshëm për gjithçka. Për ta, ashtu siç pushteti del e fitohet nga gryka e pushkës (apo kallashnikovit në kohët tona), ashtu dhe ruhet, me terror të kuq, siç i thoshin në vitet 20 bolshevikët, me diktaturë të proletariatit, një shpatë, që sipas tyre, duhej mbajtur gjithnjë e mprehtë, majën e së cilës e përbënin strukturat me detyrën e vetme; mbrojtjen e regjimit nga “armiqtë” e brendshëm e të jashtëm, të cilat quheshin organet e diktaturës së proletariatit. Sjellja dhe mentaliteti i shumicës së njerëzve të të cilave nuk ka ndryshuar ende deri më sot.
Hedhja e bombës në Ambasadën Sovjetike (për saktësi duhet të themi se quhej Legatë), në atë godinë ku sot ndodhet Ministria e Arsimit, u shoqërua me zhurmë të madhe propagandistike e vringëllim armësh kundër “armiqve”. Ky akt, i denjë për Neronin, drejtohej qartësisht kundër intelektualëve dhe atyre, që në fjalorin politik të kohës, quheshin “reaksionarë”, “të deklasuar”ose “klasat e përmbysura”. Drejtohej pra, kundër atyre që patën fat, e që u shpëtuan rastësisht spastrimeve, që më vonë komunistët e quajtën “Koha e Koçit” (Xoxe), por që u përsërit dhe herë të tjera me tjetër emër. Këtë e ndjenë jo vetëm ata që ishin pjesëtar të këtyre familjeve, por dhe mjaft të tjerë. Frika ishte reale, vitet që pasuan e vërtetuan këtë.
Bomba, siç e quajti propaganda e kohës, u hodh në orën 17 e 47 minuta të datës 19 shkurt të vitit 1951. Nga shpërthimi i saj, një dinamit i mbledhur me letër, u thyen vetëm disa xhama në anën e prapsme të ndërtesës. Kishim të bëjmë me atë që quhet rëndom shashkë, d.m.th. ishte një shpërthim i projektuar për zhurmë e tym, por jo për të dëmtuar godinën e ambasadës apo personelin e saj, pra jo nga njerëz që luftonin komunizmin. Ky veprim ishte një pretekst, që përkon me thënien e mendimtarit të shquar Schopenhauer, se “i ligu kërkon sebep”. Menjëherë, pra që të nesërmen, pushteti që e kishte parapërgatitur këtë farsë, u hodh në veprim për një javë rresht, duke bërë arrestime të shumta, nga radhët dhe familjet e intelektualëve dhe të atyre që dihej se ishin antikomunistë. Të gjitha arrestimet u bënë për këtë “bombë” por që të gjithë menduan se bombën e hodhi Sigurimi i Shtetit për të pasur një pretekst, dhe në këtë pikë nuk jemi në një mendje me Uran Butkën që në librin e tij, ashtu si më parë në “Ringjallje” mendon ndryshe.
Le të paraqesim shkurtazi ngjarjet në rrjedhën e kohës. Atë ditë ishte mbledhja e Komitetit Qendror të PPSh ku në rendin e ditës kishte analizë të punës së partisë dhe disa pika që lidheshin me rolin e Bashkimit Sovjetik dhe të Stalinit si fanar ndriçues në rrugën e PPSH-së. Në të u kritikuan për oportunizëm dhe moskryerje të luftës së klasave Tuk Jakova, Teodor Heba, Manol Konomi si dhe Kahreman Ylli për oportunizëm dhe mungesë vigjilence ndaj antisovjetizmit në arsim. Kuptohet që kemi të bëjmë me përgatitje terreni për atë që ishte projektuar.
Plenumi nuk i vazhdoi punimet të nesërmen më 20 Shkurt, por qysh në mëngjes u mblodh me dyer të mbyllura Byroja Politike, që ishte e vetmja strukture vendimmarrëse. Proces-verbali që ruhet i kësaj mbledhje, që shtjellohet me hollësi në librin e Butkës, tregon mjaft fakte tronditëse për veprimtarinë kriminale të kësaj bande komuniste të pa skrupuj. Raportin për ndodhinë e paraqiti Ministri i Punëve të Brendshme Mehmet Shehu i cili kërkoi “masa të jashtëzakonshme represive pa marr parasysh ligjet në fuqi”. Ai gjithashtu shtoi se arrestimet duhej të bëheshin që atë natë: “ rreth 100-150 veta nga të cilët nja 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë”, dhe se listat ne i kemi përgatitur. Ndërsa brenda një kohe të shkurtër, “të spastrohet” Tirana si dhe qytete të tjera nga familjet reaksionare. Siç tha Mehmet Shehu “Ne duhet terrorit t’i përgjigjemi me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje e gjakftohtësi”. Në fjalën e tij Shehu përmendi dhe shprehjen: “…element reaksionarë të tipit Kasaruho..”, një emër nga të listave, çka flet qartë se listat ishin përgatitur qysh më përpara. Byroja Politike i miratoi një zëri të gjitha këto propozime .
Në dosjen përkatëse në Gjykatë janë gjetur tri lista të parapërgatitura me një sërë emrash me veprimtarinë e secilit që justifikonte masat që propozoheshin, nga të cilët u përzgjodhën me kritere të qarta politike 22 fatkeq, emrat e të cilëve kanë anash nga një kryq blu, që do të thotë “të pushkatohen”, ndërsa të tjerët do të arrestohen. Më vonë, sipas porosisë të dhënë në mbledhjen e Byrosë, u hartuan dhe lista të tjera për arrestime që përfshin të gjithë vendin. Gjykoj që të gjitha listat duhej të ishin shtojcë e veçantë e librit.
Ata që u caktuan të pushkatohen ishin: Sabiha Kasimati (39 vjeç), Pjerin Guraziu (46 vjeç), Anton Delhysa (48 vjeç), Zyhdi Herri (30 vjeç), Gafur Jegeni (43 vjeç), Jonuz Kaceli (43vjeç), Manush Peshkëpia (40 vjeç), Mehmet Ali Shkupi (58 vjeç), Niko Lezo (50 vjeç), Lluka Rashkoviç (51 vjeç), Haki Kodra (30 vjeç), Reiz Selfo, Myftar Jegeni (36 vjeç), Thoma Katundi (64 vjeç), Hekuran Troka (32 vjeç), Qemal Kasaruho(49 vjeç), Tefik Shehu (39 vjeç), Gjon Temali (47 vjeç), Fadil Dizdari, Petro Konomi (30 vjeç), Pandeli Nova (59 vjeç) dhe Ali Qoralliu.
Studimi i vëmendshëm i akteve të gjykimit, çka na e paraqet me hollësi dhe mjaft bindshëm Butka, tregon qartë që procesi ishte fiktiv, pa hetime, pa gjykim real dhe i falsifikuar në dokumente. Është sheshit e qartë se përpara është dhënë dënimi me vdekje (në Byronë Politike me lista të parapërgatitura për këtë qëllim) dhe pastaj “u rregulluan kartërat”.
Ata u dënuan me akuza kolektive: si të vënë në shërbim të agjenturave të huaja, si agjent të rregullt të tyre dhe si anëtarë të organizatave terroriste. Arrestimet e tyre u kryen nga data 20 deri më 23 shkurt, pa urdhër arresti dhe firmën e prokurorit (ai i firmos këto urdhra më datën 25 kur ata janë tashmë në burg). Po kështu akt-akuza u hartua më datë 25 dhe në të janë dhe datat arrestit për secilin të pandehur. Ata as nuk u hetuan rregullisht nga hetuesit e Sigurimit të Shtetit (u pyetën gjatë një nate e pa proces verbale), e as u pyetën nga prokurori i ngarkuar me këtë çështje, nuk ju paraqit asnjë provë e nuk është thirrur asnjë dëshmitarë.
Gjatë marrjes në pyetje në godinën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, njëri prej viktimave, Jonuz Kaceli, vdiq nën tortura më datë 25 (ata thonë se u hodh nga dritarja) dhe kjo nuk shkruhet në asnjë shkresë, madje ai rezulton se gjykohet, dënohet e pushkatohet me të tjerët një ditë më vonë.
Më datë 25 shkurt Prokurori i Përgjithshëm Ushtarak Siri Çarçani firmos akuzën kolektive më vetëm 9 rreshta dhe kërkon gjykimin e tyre në seancë të parë e të vetme. Në këtë proces farsë thuhet se të pandehurit pranuan përgjithësisht se janë kundër pushtetit popullor dhe se kanë folur me të tjerë për këtë por nuk pranuan asnjë akuzë tjetër, pikërisht ato për të cilat do të dënoheshin.
Studimi i dokumentacionit për arrestimet, hetuesinë dhe dënimin e viktimave, si dhe dëshmitë e disa prej zyrtarë të implikuar, tregon qartë se hetimi u bë sa për formë, pa prova e ballafaqime, se nuk pati proces gjyqësor dhe se dokumentet përkatëse: proces verbali dhe vendimi janë hartuar më vonë dhepër këtë arsye, dy pjesëtarë të trupit gjykues nuk pranuan të firmosin për një gjyq që nuk u bë. Ata ishin Nonda Papuli (anëtar) dhe Hydai Bejo (sekretar).
Pushkatimi i tyre kriminal u krye në mesnatën e 26 Shkurtit në një vend ndërmjet Urës së Beshirit dhe fshatit Mënik. U varrosen të lidhur të gjithë bashkë me vargonj. në një gropë të përbashkët që i priste prej disa ditësh. U deshën vite që varri të gjendej dhe ata të rivarroseshin si martirë, në një varr të përbashkët. Nuk di a ka ndonjë “shenjë” aty se është një ndodhi e veçantë që duhet të mos harrohet. Më vonë u vazhdua me arrestimet sipas Listave dhe me dëbimin e familjarëve të viktimave, ku Rretheve në të cilat i dërgojnë ju thuhet që “të sistemohen në ndonjë ndërtesë dhe t’u gjendet ndonjë punë sa për të siguruar bukën e gojës”. Frazë që flet vetë.
Që kur krerët vendosën të marrin mbi vete të drejtën e arrestimeve dhe vrasjeve, të drejtën natyrale të jetës dhe të vdekjes së individëve të cilët mendonin ndryshe nga ata, menduan t’u jepnin këtyre veprimeve edhe “veshje ligjore”, sipas parimit “ligji jam unë”. Ata përgatitën një dekret, kundër të cilit, nga mesi i Shkurtit, u shpreh Manol Konomi, atëherë Ministër i Drejtësisë. Për këtë qëndrim burrëror përpara të vetemëruarëve padronë të jetëve të shqiptarëve, ai u përjashtua nga KQ i PPSH dhe u hoq nga Ministër. Për fat të keq të viktimave, këtë dekret me Nr. 1223 që mban datën 26 Shkurt e firmosi Omer Nishani, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Dekreti famëkeq, i cili u hartua dhe miratua po ato ditë, u bë për të thënë se u mbështetëm në ligj, mban titullin “Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë s’organizatave terroriste dhe t’akteve terroriste kundër punonjësve të Pushtetit Popullor dhe të organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”. Dekreti ka vetë gjashtë nene, nga të cilët vetëm i pari, përsërit emërtimin e dekretit, është me një frazë të gjatë ku përcaktohet se hetimet duhet të kryhen brenda 10 ditëve. I dyti, përcakton se akuza i bëhet e njohur të pandehurit një ditë përpara procesit. I treti, me 6 fjalë thotë se gjyqi bëhet pa pjesëmarrjen e palëve. I katërti, ndalon rekursin dhe lutjen për falje, ndërsa i pesti, përcakton se dënimi ekstrem ekzekutohet menjëherë pas dhënies së tij. Dekreti mban datën 26 shkurt, në natën e së cilës kryhet akti barbar i vrasjes së 22 të pafajshmëve, vetëm se mendonin ndryshe nga banda kriminale-Partia e komunistëve.
Përmbajtja e Dekretit flet, pa më të voglën mëdyshje, se u hartua për të pasur, “sipas tyre”, një armë ligjore për të vrarë ata që dëshironin nga radhët e kundërshtarëve politik, madje dhe personal, por edhe për presion apo kërcënim ndaj kundërshtarëve të regjimit. Por ka mjaftë gjasa që Dekreti të jetë hartuar dhe miratuar rreth 8 Marsit , sepse këtë datë mban proces- verbali i mbledhjes të Qeverisë që miraton Dekretin. Sidoqoftë duhen kërkime të mëtejshme për këtë problem. Pra, njerëzit u vranë pa asnjë mbështetje ligjore dhe vetëm pas dy javësh u kujtuan ta përligjin dhe hartuan Dekretin me datë të falsifikuar si dhe Vendimin e Gjyqit kriminal, që nuk ishte mbajtur sepse e quanin të panevojshëm. Provokacioni i bombës ka qenë qartësisht i kryer për të justifikuar reprezaljen. Listat ishin të parapërgatitura, dhe pasi caktuan viktimat i pushkatuan, pa gjyq. Ata menduan se me një Dekret kishin të drejtën të merrnin jetë njerëzish të pafajshëm.
58 vjet më parë, unë isha 12 vjeç dhe ndiqja vitin e fundit të shkollës 7 vjeçare. Unë mbaj mend mjaft gjëra nga ajo kohë. Një javë përpara, duke ecur bashkë me tim atë në sheshin Avni Rustemi, takuam një mikun e tij farmacistin Gjon Temali. Biseda me të qe e rëndomtë. Unë në atë kohë merresha, si gjithë moshatarët e mi, me filateli. Gjoni, që sipas tim ati ishte filatelist i njohur, u interesua dhe më tha se do të më jepte disa seri pullash dhe do të më mësonte si mbahen ato. Unë e mbaj mend nga kjo gjë, por edhe sepse në klasën time dhe në shkollë kam pasur një vit me parë dy vajzat, Ida dhe Greta (nuk besoj t’u ngatërroj emrat). Veç tij, im atë kishte miq Niko Lezon, Manush Peshkëpinë e mjaft të tjerë nga ata që u arrestuan. Mbasi doli nga burgu, Ibrahim Babamusta ishte mësuesi i im i matematikës në Politeknikumin “7Nëntori”.
Ky krim monstruoz ka qenë gjithnjë temë bisedimi për intelektualët shqiptarë. Të dhëna mjaft interesante, që për mua jashtë çdo dyshimi janë tërësisht të vërteta, më ka treguar më se një herë, qysh në vitet 70, kolegu im i atëhershëm Apollon Baçe. Meqenëse gjatë këtyre viteve nuk ka arritur të tregonte atë që dinte për këtë ndodhi, unë po marr guximin ta botoj këtu. Nuk mendoj se do më qortoj se nuk mora leje për këtë, shpresoj në se do të jetë e nevojshme të plotësoj ose korrigjoj. Këto të dhëna ai i kishte mësuar nëpërmjet Rozës (Trandafiles) gruas së Omer Nishanit, mike tepër e ngushtë e nënës së tij, si dhe nga shërbëtorja e familjes Nishani.
Sipas Baçes, në fillim të shkurtit 1951 Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu u takuan me Ambasadorin Sovjetik në Tiranë, Çuvakhin dhe i thanë atij se kundërshtarët nuk po rinë urtë. Çuvakhini ju tha që të merrnin masa shtrënguese, arrestoni një numër të madh njerëzish, pushkatoni ata që ju duken më të rrezikshëm dhe “qetësia” sigurohet. U tha, u bë. Sigurimi i Shtetit hartoi nga tre sektorë e degë të tij, tre lista armiqsh dhe “dikush”, shumë lart sigurisht, përcaktoi se kush prej tyre nuk duhet të jetonte më.
Sipas prof. Baçes, shumë shpejt pas vrasjes së 22 martirëve të pafajshëm Omer Nishani ndjeu përgjegjësinë e tij, u mbyll në vetvete dhe në momente dëshpërimi godiste kokën me grushte duke thënë ” ç’bëra unë që vrava shokët e mi”. Këtë gjë e dinin sigurisht dhe “ata” dhe për këtë nuk e zgjodhën më në asnjë post politik. Ai vrau veten në një krizë dëshpërimi të thellë në vitin 1954. Dr. Nishani u vetëvra me revolver dhe për këtë tregoi shërbëtorja e tij. Regjimi ia la harresës emrin e tij.
Të dhënat e mësipërme tregojnë qartë si u projektua dhe u realizua kjo vrasje mizore.
Kam dhe një kujtim tjetër. Drejtori ynë në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ark.Gani Strazimiri, na ka treguar se në një takim të tijin me Mehmet Shehun, ky i fundit i tha: “se ti shoku Gani desh e hëngre atëherë”. Unë pashë emrin tënd në listat dhe urdhërova që shih se mos është Ganiu që njohim ne dhe ty s’të ngau njeri. Në të vërtetë ky qe dhe fati i njeriut me të njëjtin emër që sa u bë verifikimi, i shpëtoi kryqit blu në listë, i shpëtoi vdekjes.
Në vitin ‘91 në zyrën time të zëvendës Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, prita përfaqësues të familjeve, të cilat më kërkuan t’i ndihmoja për rigjykimin e çështjes, për të marrë pafajësinë. I drejtova tek Kleanthi Koçi, në atë kohë Kryetar i Gjykatës së Lartë, me të cilin biseduam për këtë kërkesë të drejtë. Kleanthi në një bisedë më vonë, më tha se ata do t’i deklarojmë të pafajshëm se nuk pati asnjë proces real kundër tyre; kështu dhe ndodhi.
Sot mbas 58 vitesh nuk ka si të mos e ndjesh veten ngushtë që njerëz të racës sonë u ulën kaq poshtë, u treguan kaq barbarë. Ndriçimi i të vërtetës me këto fakte vlen dhe për të dënuar këtë akt të llahtarshëm, ideatorët e tij, strukturat që i realizuan dhe ata që i mbrojnë sot me këmbëngulje.
Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare është një kërkesë imperative, jo se po na i kërkon Evropa, siç dëgjojmë shpesh, por sepse janë pikërisht mbetjet e diktaturës në mënyrën e të vepruarit dhe mentalitetin e individëve të veçantë, krahas pranisë në politikë e jo vetëm aty të njerëzve nostalgjik të asaj periudhe, që mundohen të na mbushin mendjen se kemi një vazhdimësi të asaj kohe në kushte të reja. Kjo është dhe arsyeja e pranisë të këtyre individëve të atij regjimi në politikën e sotme shqiptare dhe shmangja nga dënimi publik i krimeve të komunizmit.
Dënimi i krimeve të epokës komuniste dhe mënjanimi nga politika dhe pushteti i të inkriminuarve, por edhe moslejimi i praktikave etatiste dhe intolerante ndaj atyre që mendojnë ndryshe, ndalimi i zërave të kundërshtarëve politik, liri e të drejta që janë në themelet e një shteti ligjor e demokratik, përbëjnë sot një domosdoshmëri. Në themel të këtij procesi duhet të jetë evidentimi me kritere shkencore i sistemit të dhunës të praktikuar nga ai regjim, platformat politike e profesionale, metodat dhe njerëzit kryesor hartues të atyre politikave, strukturat nga qendra në bazë (Parti e Sigurim) dhe zbatuesit e dhunës kriminale. Vetëm atëherë do të kemi dije të plotë dhe përmasat reale të krimit komunist në Shqipëri. Për këtë duhet që sa më parë të hapen për këdo Arkivat ku ruhet, në dokumente, kjo histori e hidhur dhe e turpshme, sigurisht sipas rregullave të ruajtjes së sekretit shtetëror dhe të privacy-së, të nxiten dhe financohen studimet, dhe detyrimisht botimi i tyre dhe sidomos i dokumentacionit të kohës. Këtë punë kolosale nuk mund ta kryejnë vetëm nëpunës të emëruar nga shteti, por kushdo që është i interesuar (institucione kërkimore jo publike, fondacione dhe individë).
E kaluara e hidhur e periudhës së regjimit komunist në Shqipëri duhet të njihet nëpërmjet botimit të fakteve dhe dëshmive të kohës, në mënyrë që ideologji, mentalitete e praktika të gabuara e të turpshme të njihen që mos të përsëriten. Për fat të heq janë të pakta studimet për dhunën dhe terrorin komunist, për doktrinën, ligjet antidemokratike, strukturat dhe individët veprues, ndërkohë që bombardohet shtypi me trimëritë e sigurimit dhe procese të montuara. Fshehja e veprimtarisë së dhunshme të komunistëve dhe të sigurimsave, prapa sekretit shtetëror, është e qëllimshme dhe nuk duhet të vazhdojë më. Shqiptarët kanë të drejtën legjitime ta njohin atë kohë të historisë së tyre, që ajo të mos përsëritet. Prania në drejtim e shumë prej atyre që janë të implikuar me regjimin sigurisht e pengon këtë . Por jam i bindur se kjo nuk mund të vazhdojë gjatë.
Askush nuk duhet të mendojë se e bën ai me larot e tij historinë, aq më tepër kur janë ende gjallë dëshmitarët e asaj periudhe, kur ka shtyp të lirë, kur faktet po fillojnë të shohin dritën e botimit edhe pse me vonesë.
Së fundi deshëm të shprehim dy mendime, që lidhen për nga aktualiteti, me këtë çështje të fundit.
Së pari, është e drejtë që duhet caktuar një ditë e përkujtimit të viktimave të dhunës komuniste, por kjo datë nuk mund të jetë 20 shkurti, e cila lidhet dhe me emrin e diktatorit. Një ditë e përshtatshme mund të ishte edhe dita e pushkatimit të të dënuarve të Gjyqit të Parë Special apo dita e pushkatimit të deputetëve.
Së dyti, monumenti që duhet të ngrihet në përkujtim të tyre duhet të jetë me mjete shprehëse dhe forma artistike të kohës, jo tek piramida e ngritur për të përjetësuar diktatorin pra dhe regjimin e tij. Jam i bindur që do vij shpejt dita e zhdukjes së saj.
Aleksandër Meksi
Tiranë 11 shkurt 2009
Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 14 Shkurt 2009
ma.me