Prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Mëngjesin e sotëm ai është pritur në një takim fillimisht nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe më pas nga kryeprokurorja Arta Marku.
Takimi në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur në orën 09:30, ndërsa në qendër të bisedës është bashkëpunimi mes dy vendeve për të goditur grupet kriminale.
Në takim ndodhet edhe Drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj.
“Sapo përfundova një takim shumë të dobishëm me mikun tim Prokurorin Kombëtar italian Antimafia, De Raho dhe bashkëpunëtorët e tij, që dje në Tiranë. Diskutim profesional e i frytshëm me një nga prokurorët më të njohur, me përvojë të shkëlqyer në luftë kundër krimit të organizuar.
Me Prokurorin italian Antimafia, De Raho, diskutuam çështje konkrete me shumë interes lidhur me bashkëpunimin dypalësh në luftë kundër krimit të organizuar transnacional, të sofistikuar e te fortë ekonomikisht, për goditjen e lidhjeve të tij korruptive dhe aseteve kriminale.
Shkëmbim informacioni më të shpejtë, analiza dhe hetime të përbashkëta me skuadra mobile si dhe trajnime me Policinë shqiptare – ishin të tjera tema shumë interesante diskutimi me Prokurorin italian Antimafia dhe Antiterrorizëm, De Raho dhe delegacionin që e shoqëronte“, shkruan Xhafaj.