Nga 1 prilli 2018, bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë do të hyjnë në skemën e TVSH-së, ndërsa apartamentet dhe dyqanet do të taksohen me taksën e re me përqindje mbi vlerën.
Drejtori i përgjithshëm i politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, në intervistën për gazetën “Panorama” shpjegoi ndryshimet fiskale për këto kategori që nisin zbatimin nga 1 prilli. Lera u shpreh se me uljen e pragut të TVSh-së në 2 milionë lekë, në skemë do të përfshihen 9 mijë biznese të reja, që duhet të deklarojnë qarkullimin e xhiros për muajt prill-qershor brenda 20 korrikut.
Drejtori i politikave fiskale tha se javën e ardhshme, Ministria e Financave do të dërgojë për miratim në Qeveri vendimin për metodologjinë e vlerës së shtëpive që ofron disa mënyra për përcaktimin e vlerës së ndërtesave që nga vetëdeklarimi, kontratat e shitjes në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, çmimet e referencës dhe verifikimet në terren.
Për apartamentet e ndërtuara para 1993, Lera deklaroi se taksa do të llogaritet me ulje të vlerës 30 për qind.
Kështu për bizneset që do të përfshihen nga 1 prilli në skemën e TVSH-së Lera tha se janë rreth 9 mijë biznese.
“Kur paraqitëm projektligjin në bazë të llogaritjeve që kryem, kemi deklaruar se janë rreth 9 mijë biznese në fashën 2 deri në 5 milionë lekë xhiro në vit. Kjo shifër mund të ndryshojë në varësi të regjistrimeve të reja dhe sikurse përcakton ligji, ata do të jenë subjekt i tatimit të vlerës së shtuar nga 1 prilli.
Që do të thotë, do të deklarojnë veprimtarinë e periudhës së tremujorit të dytë, prill-qershor 2018 deri më 20 korrik 2018. Pra, 20 korriku është afati kur kjo kategori biznesesh do të deklarojë qarkullimin dhe nëse kanë për të paguar tatimin mbi vlerën e shtuar,” tha Lera për Panorama.