Shoqata ‘Çamëria’, së bashku me Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet protestuan sot para ambasadës greke në Tiranë kundër marrëveshjes Shqipëri-Greqi, që sipas tyre fshin emrin “Çamëri”.
Në protestë merrnin pjesë edhe kreu i PDIU Shpëtim Idrizi. Ai kishte një apel për krerët e shtetit lidhur me negociatat me Greqinë.
“I bëj thirrje Bushatit, Ramës, Metës por edhe Bashës. Unë e di që nuk u jepni dot zhvillim, prosperitet shqiptarëve, por ju lutem u jepni dinjitet. Marrëveshja për ujrat ëhstë kërkesë e Greqisë. Zgjidhja e çështjes çame si çështje e të drejtave të njeriut. Ne nuk duam komisonin e kthimit të pronave, ne duam vatanin, ne duam të kthehemi në trojet tona. Emrin Çamëri nuk e fshini dot, ëhstë më i vjetër se vetë Greqia”, tha Idrizi.
Dhjetëra qytetarë çamë me flamuj kuqezi por edhe me plisa të bardhë kanë marrë pjesë në protestë duke kërkuar transparencë për marrëveshjen Shqipëri-Greqi.
Ata kanë kërkuar që emri ‘Çamëri’ të mos fshihet nga tekstet shkollore, ashtu siç po përflitet, si një nga kërkesat e Greqisë në bisedimet mes dy vendeve.
/a.m.