Nga Ben Andoni
Të gjitha qeveritë shqiptare të pas viteve ‘90 e kanë pasur të papërballueshme realizimin e objektivave, që i vendosin vetes për mandatin e dytë. Dhe, skema e është e njëjtë: Ndërsa në mandatin e parë rreken të merren me kundërshtarin, duke e krahasuar, anatemuar, përqeshur dhe etiketuar si burim të çdo të keqe, në mandatin e dytë, ku modeli krahasimtar i referohet modelit të tyre paraardhës mbeten. Zbritja në tokë i përball me realitetin, që e përbëjnë koefiçientët e vëzhgimeve të huaja, që çdo Ekzekutiv përball ndër vite. Mjafton të shikosh dhe të gjykosh kurbat e tyre kujton se zhvillimi kaotik i vendit prej qeverive të pas ‘90 është fajtor për të gjithë këtë situatë të rëndë ekonomike.
Në mandatin e dytë të qeverisë Rama, edhe pse flitet për reforma të vazhdueshme dhe disa kanë dhënë rezultate, qoftë dhe të pjesshme, ato e vuajnë mirëkuptimin e të gjithë faktorit politik, por edhe strukturimin e dobët të tyre. Ndryshe nga paraardhësit, këtë mandat Rama e fitoi me forcën e vet dhe me të gjithë fuqinë e PS-së, pikërisht ashtu si edhe e kërkoi në fushatë nga elektorati për zbatimin e ideve të tij për ndryshim. Gati një vit më vonë, zhgënjimi është i madh:
Reforma e Administratës Civile megjithë tonet optimiste të qeverisë Rama nuk është se ka prodhuar ndonjë administratë, e cila të jetë e përgjegjshme dhe e aftë për zhvillimet e vendit dhe t’i ketë hapur rrugë thithjes së elementit të mirë dhe lehtësimit të funksionimit burokratik.
Reforma territoriale, megjithë zhurmën e madhe, po tregon se ka mangësi të mëdha sa i përket atributeve të pushteteve lokale, segmente të të cilave arrijnë edhe e sabotojnë dhe me qejf, këtë reformë të paragjykuar se është bërë nga maxhoranca.
Reforma Arsimore fut ujë nga të gjitha anët, duke filluar nga problemet poshtë me studentët dhe duke vazhduar me kërkimin shkencor dhe funksionimin si duhet të institucioneve arsimore dhe shkencore në vend, që janë sot e kësaj dite të pareformuara.
Këto janë pak nga shembujt, por po të bësh një raport mund të përmendësh pa fund elementë, që tregojnë se ekzekutivi shqiptar lodhet befas në mandatin e dytë. E para, me sa duket ndodh se objektivat e tyre nuk janë më të kapshëm; pushteti i bën të mos e shikojnë realitetin në sy; krerët e dikastereve e quajnë veten të plotfuqishëm në postet e tyre dhe nuk dinë të adresojnë si duket problematika.
Nga përplasjet e ditëve të fundit të grupeve të interesit t’i kupton se megjithë premtimet Ministrat më të rëndësishëm të Ramës, Gjiknuri dhe Ahmetaj s’i kanë respektuar asfare problematikat e punëtorëve. Ashtu si nga mëtimet e ministres së Kulturës, tregohet se edhe ajo mund të ishte më transparente me artistët, për të shmangur keqkuptimet e shumta dhe që i dhanë vendit një krizë të madhe.
Paçka është një justifikim, dhe për këtë, ministrat e mandatit të dytë të Ramës nuk duhet të mërziten, pasi edhe paraardhësit e tyre të PD-së, dy herë më 96-97 dhe 2009-2013 apo edhe ekzekutivi i Nanos së 2001-2005 u përball me të njëjtin fenomen, që me sa duket është një destin i detyruar i ekzekutivit shqiptar për rrotacion. (Javanews)