Përfaqësues të Bashkimit Evropian, disa ditë më parë, bashkuan politikën shqiptare, e cila doli me një rezolutë të përbashkët, duke kërkuar çeljen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.
Por, përpos integrimit, politika shqiptare duket se është bashkuar edhe për një arsye tjetër, për mbrojtjen e imunitetit të deputetëve përballë arrestimeve, në prag të ngritjes së organeve të reja anti-korrupsion, përkatësisht Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë Posaçme dhe Gjykatave Speciale.
Shqiptarja.com zbardh prapaskenat e pajtimit të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, pas takimit të 12 të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Pajtimi është mundësuar gjatë një mbledhje me dyer të mbyllura në ambientet e Kuvendit, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjithë palëve, përkatësisht të delegacionit të Parlamentit Evropian, PS dhe PD.
Një nga arsye e dakordësisë, që është mbajtja e imunitetit kushtetues ndaj arrestimit dhe kontrollit të banesës, reflektohet në rezolutën e përbashkët të palëve. Fillimisht, Partia Demokratike paraqiti disa propozime për të modifikuar rekomandimet e rezolutës. Propozimi i tretë e opozitës kërkonte heqjen e imunitetit parlamentar të deputetëve, por pa theksuar rrugën që duhej ndjekur.
“Një amendament tjetër i Partisë Demokratike kërkon heqjen e imunitetit parlamentar, kur ai kërkohet nga organet e drejtësisë”, thuhet në propozimin e PD. Ndërkaq, në rezolutën e përbashkët të Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve të Brukselit, e dakordësuar gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, nuk figuron askund kërkesa për heqjen e imunitetit. Në rezolutën e përbashkët, në pikën 10, palët bëjnë thirrje që zyrtarët të trajtohen njëlloj si qytetarët e tjerë, por nuk përmendet më kërkesa për heqjen e imunitetit.
Përplasja në PD për imunitetin
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, në fund të vitit të kaluar, propozoi hartimin e një amendamenti kushtetues për të zhveshur nga imuniteti çdo deputet. Gjatë kësaj mbledhjeje, Basha kërkoi edhe një ngritjen e një grupi pune, me ekspertë ligjorë të opozitës, për hartimin e amendamentit, me të cilin do të sfidonte shumicën në Kuvend.
Por, asnjë grup pune nuk u ngrit për një amendament të tillë, duke konfirmuar edhe tërheqjen nga propozimi. Disa deputetë demokratë kundërshtuan propozimin, me argumentin se, heqja e imunitetit mund të përdorej nga kundërshtari politik për të arrestuar përfaqësues të opozitës. Megjithatë, propozimi u shfaq sërish në ditën e dytë të takimit të Komitetit Shqipëri-BE, për t’u tërhequr pas disa orësh./Shqiptarja