Akademiku Artan Fuga tha në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi në RTSH 1, se 70-80 përqind e studentëve të tij nuk janë në degën që kanë dëshiruar të studiojnë. Sipas profesor Fugës, kjo është një ndër pasojat e ligjit të arsimit të lartë.
“Ministria e Arsimit të vijë të bëjë një sondazh sociologjik për të parë sa nga studentët kanë ardhur atje me pëlqimin e tyre. Mua më rezulton se 70-80 përqind nuk kanë ardhur në degën që duan”, tha Fuga. Sa i përket alternativës së universiteteve private, Artan Fuga sheh një trajtim të pabarabartë. “Ne kemi Ministrinë e Arsimit, që qytetarët e barabartë i shpërndanë që të marrin një shërbim të njëjtë, me çmime të ndryshme. Kjo shkatërron barazinë qytetare politike”, tha Fuga. “Universitetet private po kthehen prapë në kioska dhe piramida financiare”, shtoi Fuga.
Ndërsa zv.ministri i Arsimit, Ervin Demo tha se shpërndarja e studentëve sipas ligjit të miratuar dy vite më parë, bazohet në meritokraci.
“Ministria e Arsimit nuk i detyron studentët të shkojnë në universtietet private. Kapacitetet e universtiteteve publike në disa degë janë të atilla që nuk i përgjigjen kërkesës së studentëve, që dalin nga arsimi parauniversitar”, tha Demo në RTSH.
Por zv. ministri i Arsimit pranoi se shpërndarja e kuotave nëpër programet e studimit nuk përputhet me kërkesat e tregut. “Kultura e kuotave nuk ka ndryshuar prej një dekade”, tha Demo, ndërsa shtoi se ligji i arsimit parashikon edhe rregullimin e tyre. Ligji i Arsimit të Lartë u miratua në vitin 2015. Ai parashikonte nxjerrjen e akteve nënligjore brenda një periudhe 9 mujore, por ato kanë nisur të miratohen në fund të vitit të kaluar. (RTSH)