Lufta e Ftohtë përfundoi falë ndërhyrjes së Silvio Berlusconi-t, të paktën siç pretendon ai.
4 herë ish-kryeministri i Italisë, i ftuar në një emision mëngjesi, u vetëshpall arkitekti kryesor që i dha fund tensioneve gjeopolitike që pasuan Luftën e Dytë Botërore.
“Kur isha në qeveri në vitin 2001, deklarova publikisht se doja t’i jepja fund Luftës së Ftohtë, e cila vijonte prej 50 vitesh dhe shkaktonte vuajtje,” u shpreh lideri i bllokut të qendrës së djathtë.
Deklarata e 4 herë kryeministrit me siguri ka tronditur shumicën e historianëve, të cilët thonë se Lufta e Ftohtë përfundoi në periudhën mes rënies së Murit të Berlinit në 1989 dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në 1991.
Por për Berlusconi-n, kjo luftë ka përfunduar në maj 2002 në një samit të NATO-s të organizuar pranë Romës, me pjesëmarrës presidentin e atëhershëm amerikan George W. Bush dhe presidentin rus Vladimir Putin.
“Ia dola t’i jepja fund asaj lufte sepse pikërisht këtu në Romë unë binda Bush-in e Putin-in, duke përdorur gjithë talentin tim për të krijuar marrëdhënie miqësore,” shtoi më tej Berlusconi.
81-vjeçari është aktualisht pjesë e fushatës intensive që partia e tij dhe aleatët po zhvillojnë në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme në Itali./oranews