Në vijueshmërinë e analizimit të vendimarjes për një sërë çështje hetimore që ka pasur Prokuroria e Elbasanit, është konstatuar se disa prej dosjeve penale janë mbyllur pa argument mbështetës ligjor.
Bëhet fjalë për pesë proçedime penale, ku mes të cilave njëra prej tyre ka të bëjë me nipat e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, të cilët, siç mëson “Shqiptarja.com”, kanë qënë në hetim për “Fshehje të ardhurash” dhe “Mashtrime me TVSH”.
Nipat e ish-drejtuesit të akuzës qëndrore mësohet se zotërojnë një kompani që kryen aktivitetin e saj në nënshkrimin e kontratave factoring dhe se biznesi i tyre ishte vënë në hetim nga Drejtoria e Tatimeve dhe Prokuroria e Elbasanit për “Fshehje të të ardhurave” dhe “Mashtrime me TVSH”.
Ky procedim dhe katër dosje të tjera janë pushuar, por tashmë mësohet se vëmëndja e prokurorëve është rikthyer sërisht në këto dosje.
“Shqiptarja.com” mëson se katër nga këto dosje, përfshirë dhe çështjen e kompanisë së nipave të ish-kryeprokurorit Llalla, i ka në hetim prokurorja Amanda Xhaferi.
Këto procedime penale ju hoqën kësaj prokurore nga ish-drejtuesi i prokurorisë së rrethit Dritan Gina, duke mos u hetuar më pas.
Mirëpo pas largimit të Ginës nga drejtimi i akuzës, këto dosje i janë rikthyer sërisht prokurorës Xhaferi, e cila tashmë është duke vijuar hetimet, përfshitë këtu dhe nipat e Adriatik Llallës.
a.ç