Albin Tahiri ka debutuar në Lojërat Olimpike Dimërore Pyeongchang 2018. Skitari kosovar ka zënë vendin e 37-të nga 65 garues në disiplinën kombinim alpin. Përfaqësuesi i vetëm i Kosovës në Pyeongchang është shprehur i lumtur për këtë rezultat.
“Unë jam vërtetë i lumtur me garën e lëshimit, përkundër disa gabimeve që bëra. Sllallomi ishte shumë i vështirë, shumë me akull, por ia dola të arrijë në objektiv dhe zënia e vendit 37 ishte rezultat që e kam pritur”, ka thënë Tahiri pas garës, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës. Trajneri i tij, Agim Pupovci, ishte i kënaqur me lëshimin, por jo edhe aq shumë me sllallom.
“Sot ishte gara e parë e Albinit në kombinim alpin, ka qenë një garë shumë e fortë. Terreni ishte i ngrirë prej katër ditësh, ku është punuar edhe me injeksion (mbushje me ujë). Në lëshim ka qenë shumë i mirë, rreth 4.60 sekonda larg vendit të parë, ku u plasua si i 55-ti, kurse në sllallom po ashtu ishte terreni shumë i vështirë, por pasi bëri dy gabime të forta, humbi shumë kohë dhe u rendit në vendin e 37-të prej 65 garuesve.
Me lëshim jam i kënaqur, por me sllallom po të mos ishin këto dy gabimet e mëdha, do të ishte klasifikimi më i mirë”, tha Pupovci. Pikërisht në lëshim do ta ketë garën e ardhshme, e cila mbahet të enjten (15 shkurt), përgatiti Koha. (b.an)