Është vrarë edhe një kosovar në luftën në Siri, duke çuar në 76 numrin e të vrarëve në konfliktin atje. I vrari është Betim Ibrahimaj nga Komuna e Istogut. Lajmin për vrasjen e tij e ka dhënë bashkëshortja e Ibrahmajt e cila ishte së bashku me të në Siri.
Ajo përmes një bisede telefonike ka njoftuar prindërit e Ibrahimajt, se Betimi është vrarë.
“Gazeta Blic”, nga burimet e saj mëson se familja e Brahim Ibrahimajt me të marrë lajmin, ka hapur edhe të pamën e cila ka përfunduar gjatë javës së kaluar.
Lajmin për vrasjen e këtij kosovari, e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, tregoi se tashmë policia ka informacione për vrasjen e Betim Ibrahimajt, por për shkak të situatës në Siri, nuk kanë ende ndonjë dokumentacion.
“Policia e Kosovës, nga burimet të ndryshme ka informacione lidhur me vrasjen e këtij personi, mirëpo referuar situatës në zonat e konfliktit, policia nuk posedon ndonjë dokumentacion apo informacion zyrtar për vrasjen e tij”, tha Hoxha. Ibrahimaj ishte kthyer në Kosovë dhe ishte përballur me ligjin në rastin e njohur si ‘Liqeni i Badovcit’, por ai kishte arritur të arratisej sërish, përgatiti Express. (b.an)