“Grabita argjendarinë për të shlyer kredinë”. Kështu deklaroi dje në sallën e gjyqit në Shkodër Fraçesko Vukaj, teksa trupi gjykues vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të dhe shtetasin Iraldo Filipi. Këta dy shtetas akuzohen për vjedhjen e argjendarisë “Dragusha” në zonën e quajtur tregu valutor në Shkodër. Kjo ngjarje ndodhi dy javë më parë në orët e para të mëngjesit. Në sallën e gjyqit, Françesko Vukaj ka pranuar se është ai autori i vjedhjes së argjendarisë, ndërsa shtetasi tjetër i akuzuar, Iraldo Filipi, deklaroi se ai nuk ka lidhje me vjedhjen dhe se ka qenë aty duke pritur shokun e tij dhe se nuk ka pasur dijeni se çfarë do të bënte ai.
“Unë e kam vjedhur argjendarinë “Dragusha” sepse kisha një kredi për të paguar në një prej bankave të nivelit të dytë në Shkodër. Nuk kisha mundësi ekonomike dhe nuk po ia dilja dot për ta shlyer, ndaj mendova që të bëj vjedhjen e argjendarisë për të shlyer kredinë. Jam penduar për çfarë kam bërë, por për momentin e pashë si zgjidhje për të dalë nga problemi ekonomik”, u shpreh i arrestuari Vukaj. Në fakt, dëmi i bërë në argjendarinë “Dragusha” është rreth 17 milion lekë të vjetra, teksa janë vjedhur një numër i konsiderueshëm bizhuterish.
Pothuajse të gjitha këto bizhuteri janë shitur në pika të ndryshme dyqanesh të Shkodër, të cilat pranojnë të blejnë ar të përdorur. I akuzuari, i cili pranoi se është ai autori, ka treguar të gjitha pikat ku ka bërë shitjen e bizhuterive. “Unë, pasi i kam vjedhur bizhuteritë, i kam shitur në vende të ndryshme në Shkodër, aty ku pranojnë të blejnë ar të përdorur. I kam shitur sepse kisha nevojë për paratë për të shlyer kredinë. Ia kam thënë Policisë dyqanet ku i kam dërguar. Nuk kisha çfarë të bëja tjetër, ndaj i shita”, ka thënë Vukaj, ndërsa ka shprehur pendesën e tij.
Ndryshe nga Vukaj, shtetasi Iraldo Filipi ka mohuar se është bashkëpunëtor në vjedhjen e argjendarisë. I akuzuari është shprehur se ai thjesht ka shkuar për të pritur shokun e tij në afërsi të vendit të ngjarjes sepse ia kishte kërkuar ai diçka të tillë, por pa pasur idenë se çfarë do të bënte Françesko Vukaj. “Unë kam qenë pak metra larg ku ka ndodhur vjedhja. Në fakt, nuk kam pasur asnjë ide se Françesko do të bënte atë vjedhje. Ne jemi shokë dhe më ka kërkuar që ta pres afër vendit ku ka ndodhur vjedhja. Unë e kam pritur, por se kisha idenë se çfarë kishte bërë”, u shpreh dje në Gjykatë Iraldo Filipi.
Pavarësisht këtij pretendimi, Prokuroria thekson se ka prova të mjaftueshme të siguruara, që çojnë në dyshime të forta se Iraldo Filipi është bashkautor në vjedhje duke qenë se ka ndihmuar shokun e tij, Françesko Vukajn. Menjëherë pas arrestimit, Policia ka shkuar në të gjitha dyqanet ku Françesko Vukaj ka shitur bizhuteritë që ka vjedhur dhe ka bërë të mundur sekuestrimin e tyre. Deri tani, sipas burimeve, janë gjetur pjesa më e madhe e tyre, që kapin vlerën përafërsisht të 12 milion lekëve të vjetër, ndërsa po kërkohet edhe për pjesën tjetër që nuk janë gjendur ende. Bizhuteritë e sekuestruara pritet që me vendim gjykate t’i rikthehen argjendarisë “Dragusha”, e cila u grabit natën.