Emri i ish-trajnerit të Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi është përfolur shumë në mediat italiane për të marrë drejtimin e skuadrës së SPAL, që është pjesë e Seria A, por nuk po kalon një moment të mirë dhe humbja e fundit në kampionat ndaj Milanit i ka ndërlikuar edhe më shumë pozitat në tabelën e klasifikimit. Por, gjatë ditës së djeshme De Biasi i ka kthyer përgjigje përfundimtare drejtuesve të klubit italian.
Trajneri nuk ka pranuar të marrë përsipër këtë barë, ashtu siç kanë bërë edhe Reja e Guidolin, që kanë refuzuar të ulen në stolin SPAL. Rreziku që skuadra të bjerë në Seria B është i madh dhe trajnerët nuk duan të mbajnë këtë peshë mbi supe. De Biasi pas largimit nga kombëtarja kuqezi, pati një aventurë të shkurtër në Spanjë te skuadra Alaves dhe aktualisht është i papunë.