Dy dite pasi Gjykata e Lartë e Turqisë vendosi t’i hapë rrugë ekstradimit për në Shqipëri të Izet Haxhias, i dënuar në mungesë me 25 vjet burg për vrasjen e ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari, ai ka folur ekskluzivisht per “Panorama”.
Ai trgeon se asnjëherë nuk e ka refuzuar ekstradimin për në Shqipëri. “Ajo që unë apo avokati im ka kërkuar nga Gjykata turke është që të më jepet garanci nëpërmjet shtetit turk që kur të kthehem në vendin tim, t’i nënshtrohem një procesi të rregullt dhe të pavarur gjyqësor”- thote ai per “Panorama”.
Haxhia thekson se Ka kërkuar që kur të rikthehet në Shqipëri të mos i nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve që cenonin edhe sigurinë fizike nga ana e qeverisë, e cila do të kërkonte qe ai te heshtte.
“Shteti turk nuk ka pranuar që të m’i japë këto garanci që unë kam kërkuar, por ka vendosur t’i kërkojë shtetit shqiptar që të më japë garancitë e kërkuara. Qeveria e Berishës e asaj kohe, përmes ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmajli, i ka dhënë garancitë për mua dhe mes të tjerave ka pranuar edhe kërkesën për rigjykimin tim nga një Gjykatë e Pavarur. Por se si mund të ishin ato garanci dihen… Qeveritë shqiptare të vrasin natën dhe të qajnë ditën”- thote ai.
Ai tregon me tej se eshte përballë një fakti të kryer, vendimit te Gjykatës së Lartë dhe nga momenti në moment pret që të vijë e ta arrestojë Policia turke.
“Të gjitha procedurat e ekstradimit janë të mbyllura pas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë turke, që miraton vendimin e Gjykatës së Lartë. Jam shumë i qetë, por kam edhe emocione, që pas rreth 19 vjetësh do kthehem në atdheun tim të dashur e të vuajtur, në atdheun tim që Zoti e bëri parajsë, por politikanët e paudhë e kthyen në një vend të pabanueshëm”- thote ai.