Celulari është shndërruar në një mjet të pandashëm për të gjithë. Fëmijë, të rinj, të rritur, kudo në rrugë, stacione autobusi, bare e restorante i gjen me kokën poshtë te celulari, në internet. Kjo po na shkakton pasoja të rënda, si shëndetësore, ashtu edhe sociale. Ekspertët thonë se në një të ardhme do të përkthehet në katastrofë sociale, pasi qëndrimi me orë të zgjatura në internet nëpërmjet celularit po largon njeriun nga njeriu, po largon njeriun nga realiteti. Ndër të tjera, rrit stresin.
Kjo është një mënyrë e re të sjelluri në mbarë botën. Anët pozitive të celularit dhe internetit, pra demokratizimi dhe shpejtësia e informacionit përmes teknologjisë, merren të mirëqena. Por, vetë lundrimi në internet dhe orët e zgjatuara përpara një ekrani kompjuteri, por sidomos telefoni inteligjent, ka një kosto negative, sociale, psikologjike e deri fizike, që gjithmonë e më shumë po tërheq vëmendjen e studiuesve.
Dr. Apostol Vaso, mjek i trajtimit të dhembjes kronike, thotë: “Ne rendim gjatë gjithë kohës nëpërmjet mendimit dhe asnjëherë nëpërmjet përpjekjes për të arritur atë realitet që është i paarritshëm. Ndaj, njerëzit zgjohen në mëngjes të pagjumë dhe me dhembje mesi, koke, ankth, depresion…”.
Përveç mungesës së ndërveprimit social, që shkon deri në mungesë respekti nëse je përballë dikujt, qëdrimi me kokën ulur dëmton, sipas mjekëve, edhe posturën.
“Shtylla kurrizore mund të stresohet në mes, në shpinë ose në qafë”, shton Dr. Vaso.
Ekspertët thonë se diçka të re që ne e kemi përqafuar gabim, duhet të bëjmë kujdes të mos e përçojmë tek fëmijët.
a.ç