Cikli: “Antiheronjtë e “qyteteve të harruara”*
Nga Armando Meta dhe javanews.al
Rruga drejt Përrenjasit shkon perms një labirint kthesash mbi kreshta kodrinash e malesh, duke filluar që nga Elbasani. Gjendemi në zemër të qytetit të minatorëve, siç njihet ndryshe Përrenjasi. Një heshtje e plotë mbizotëron kudo… Asgjë nuk ndihet veç hapave të lodhur të banorëve. Era e ftohtë që vjen nga malet në thellësi të vendit bën që njerëzit të kërrusen të mbështjellë ende me veshjet e tyre të trasha. Dimri ka trokitur. Duket sikur ky dimër do të jetë i ashpër. Këtë përshtypje e mbajnë të gjithë në kurriz; kalimtarët, makinat e përbaltura, vetë qyteti e liqeni, i cili ka marrë një ngjyrë kafe të thellë.
Dikur kjo qytezë periferike gumëzhinte nga puna dhe ritmet e jetës së vrullshme, ndërsa sot, nuk ka mbetur thuajse asgjë, përveç disa lokaleve që mbijetojnë falë të ardhurve, të cilëve iu bie rruga kalimthi këtyre anëve. I ftohti acar na e ka vështirësuar lëvizjen dhe na e ka bërë gati të papërballueshme. Për t’u ngrohur disi, futemi te një lokal i rastësishëm. Sapo hapim derën, disa sy kureshtarë gozhdohen mbi ne. Janë të rinj të papunë, shpresëthyer, të cilët dëshirat edhe ëndrrat i mbytin nën llumin e kafesë dhe tymit të cigares që mbajnë në duar.
Rrënimi i qytetit të minatorëve që mbante me punë juglindjen
Popullsia që u vendos në qytetin e Përrenjasit në fillimet e tij përbëhej më së shumti nga banorë të ardhur nga rrethet juglindore të Shqipërisë. Në fillim të viteve ’90 filloi një fluks shpërnguljesh masive nga zonat rurale drejt qytetit, e cila vazhdon edhe në ditët e sotme, duke rritur gjithnjë e më tepër popullsinë dhe si rrjedhim sipërfaqen e qytetit. Ky qytet i ndërtuar në fushën e shkretë të Domosdovës, sot përbëhet nga mbi 10 mijë banorë, të cilët jetojnë në qytet.
Gjendja ekonomike e këtij vendi është e vështirë, pasi aktiviteti i industrisë së prodhimit të hekurit nuk ekziston fare dhe prodhimi i kromit është minimal. Punësimi në sektorët privatë është i ulët dhe papunësia kap nivele relativisht të larta. Edhe pse të varfër, të papunë dhe me shumë probleme që vijnë duke u thelluar në këtë tranzicion të vështirë, prrenjasit e presin mikun me dorë në zemër, shoqëruar nga shpirtbardhësia e bujaria.
Në “mbretërinë e qenve”
Gjatë ecjes nëpër qytet, në rrugë mbizotëron “mbretëria e qenve”, të cilët kanë pushtuar qytetin dhe janë kthyer në makth për banorët, ku shpeshherë janë sulmuar prej tyre, ndërsa organet përkatëse dhe bashkia nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për uljen e rrezikut nga këta qen. Këtë fakt na e pohon edhe Agron Tafani, një ish-i burgosur në Spaç, banor i qytetit. Ai na tregon se ka kryer 3 vite burg, në burgun famëkeq të Spaçit, mes vuajtjeve edhe torturave pa fund. “Djalkë isha i ri kur më dënuan, lashë pas bashkëshorten dhe fëmijët, të zhytur në varfëri ekstreme. Zoti e deshi që të dilja pas 3 vitesh, pasi u shemb edhe sistemi komunist. Isha mes katër rrugëve dhe m’u desh të punoja shumë. Ky qytet nuk ofronte asgjë, sikurse nuk ofron tani. Punova shumë kohë në minierat e kromit, aty fitova sadopak para që u stabilizuam si familje. U mundësova fëmijëve një shtëpi të ngrohtë ku të fusnin kokën, e sot falë Zotit nuk jemi në rrugë”, – shprehet plot qetësi Goni, siç edhe e thërrasin të gjithë në Përrenjas.
Diku më matanë qëndron Jeta, një pensioniste, e cila shet me një tavolinë të vogël anës rrugës. “Jemi në pikë të hallit, ju bëftë nëna, kam vajzën të paralizuar në shtëpi. Ka kaluar sëmundjen e meningjitit kur ishte e vogël dhe që nga ajo mbeti e paralizuar. Kam fuqi më unë të punoj?! Por, pensioni nuk i përmbush nevojat e familjes, ndaj detyrohem të punoj përsëri, të shes. Këtu është varfëri ekstreme… Punë s’ka… Para s’ka… Shëndetësi s’ka… Këtu asgjë prej gjëje nuk ka”, – shprehet me lot në sy shitësja në moshë.
Lavazhet i vetmi ‘kantier pune’
Ashtu si qytetet e tjera të cilat kanë të veçantat e tyre që i karakterizojnë, Përrenjasi njihet edhe si qyteti i lavazheve… Në të dalë të këtij qyteti, syri nuk të sheh gjë tjetër veçse lavazhe për larjen e automjeteve. Në një shtrirje prej rreth 500 metrash, përgjatë rrugës së Qafë-Thanës këto lavazhe janë e vetmja mënyrë jetese minimale për rreth 80 familje që jetojnë në këto anë, pasi shfrytëzojnë edhe ujin e bollshëm që buron nga mali i Qafë-Thanës.
Por, kjo nuk mjafton që t’i mbyllin të gjitha hallet dhe problemet që kanë. Ky është Përrenjasi, një qytet i vogël që ka humbur fillin, i mbushur plot varfëri, papunësi, pa zhvillim, pa të ardhme, pa infrastrukturë e pa gjallëri. Një qytet i cili në dukje me probleme të vogla, por, t’i mbledhësh të gjitha përbëjnë një hall shumë të madh. Një qytet i cili gjendet afër në pozitë gjeografike, por shumë larg realitetit. Një qytet i cili kërkon të jetojë, të ngrihet në këmbë, të gjallërohet e të ecë përpara. Por kjo duket thuajse e pamundur.
*“Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros”.