Në ditën e shënimit të Dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të këtij viti, organizata djathtiste serbe në Beograd kanë paralajmëruar se do të mbajnë atë që ato e kanë quajtur “Marshi për Kosovën serbe”, transmeton Koha.net.
Por një parti politike serbe këtë organizim ia faturon kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Kryetari i Partisë së Re (Nova Partiaj) Zoran Zhivkoviq ka deklaruar se përmendja e Kosovës në këtë kontekst dyfytyrësi është kulmore.
“Ajo është turmë që e ka organizuar kryetari i Partisë Përparimtare serbe –SNS, Aleksandar, ata janë legjionarët e tij, garda dhe ata i shërbejnë ashtu që kur të krahasohet me ta, ai vepron mençëm, me tolerancë dhe ia do të mirën Serbisë, sepse në krahasim me ata, secili do të ngjante i tillë”, citon Fonet të ketë thënë Zhivkoviq.
“I ftoj ata djem të shkojnë e ta mbrojnë Kosovën në Kosovë! Kosova nuk mbrohet në rrugën Kosova në Beograd dhe nëpër kafenetë beogradase dhe i pyes inspiruesit e tyre ku kanë qenë në pranverën e vitit 1999 kur është dashur të mbrohet Kosova”, ka thënë ai.
Kjo parti i ka bërë kërkesë prefektit të Beogradit Sinisha Mali që nga policia të urdhërohet ndalimi i këtij marshi. (b.an)