Një person 31 vjeçar me shtetësi kosovare i cili ka jetuar pothuaj gjithë jetën në Zvicër por që është dëbuar në Kosovë për shkak të kryerjes së shumë krimeve, nuk do të ketë të drejtë të vijë në Zvicër, përkundër faktit se ai këtu ka gruan dhe një fëmijë, shkruan tagblatt.ch.
Kështu ka vendosur shkalla më lartë e gjyqësise së Zvicrës, Gjykata Federale me seli në Lozanë.
Kosovari kishte ardhur në Zvicër kur ishte vetëm 6 vjeç dhe me kohë kishte marrë lejen e qëndrimit të përhershëm (Vizën C) në Kantonin St. Gallen, transmeton albinfo.ch.
Por, duke qenë se ai ka shkelur ligjin disa herë, Zyra e Migracionit në vitin 2012 ia kishte refuzuar vazhdimin e lejes së qëndrimit dhe e kishte dëbuar në Kosovë.
Ai, nga viti 2001 deri në vitin 2010 ishte dënuar 9 herë penalisht për vepra të ndryshme penale. Dënimi më i rëndë i ishte shqiptuar në vitin 2007 nga Gjykata e Qarkut Alttogenburg, kur ai qe dënuar për për grabitje, kërcënim, përpjekje për detyrim, rrahje, prishje të qetësisë shtëpiake, shkelje të ligjit për armëmbajtje dhe delikte në komunikacion, transmeton albinfo.ch.
Për të gjitha këto vepra penale atij i ishte shqiptuar dënimi me katër vjet burg me kusht dhe me një gjobë prej 2000 frangash.
Për shkak të numrit të madh të veprave të kryera penale, Zyra Federale për Migracion dhe Gjykata Federale Administrative i kishin caktuar atij një masë të ndalimit të hyrjes në Zvicër deri në shtator të vitit 2022. Ndërkohë, bashkëshortja e kosovarit dhe i biri kanë kërkuar kohë më parë që atij t`i mundësohej ardhja në Zvicër në kuadër të bashkimit familjar.
Por Zyra Kantonale për Migracion e St. Gallenit e ka hedhur poshtë këtë kërkesë me argumentin se vazhdon të ekzistojë rreziku se personi në fjalë do t`u kthehej sërish sjelljeve të mëparshme kriminale. Së këndejmi nga Departamenti për Siguri dhe Drejtësi i Kantonit St. Gallen dhe Gjykata Administrative është konstatuar se ai përbën edhe më tutje rrezik për sigurinë dhe rendin publik.
Bashkëshortja dhe djali i të përmendurit e kanë fituar ndërkohë të drejtën e shtetësisë së Zvicrës (pasaportën) dhe pas kësaj i janë drejtuar Gjykatës Federale me arsyetimin se kjo përbën një element të ri edhe sa i përket bashkëshortit gjegjësisht babait, ndryshim ky që duhet marrë parasysh. Në veçanti duhet pasur konsideratë për interesin e fëmijës.
Gjykata Federale e ka hedhur poshtë këtë kërkesë. Por ajo në vendimin e saj e ka bërë të qartë se autoritetet kantonale në rast të një kërkese tjetër për bashkim familjar të vlerësojnë nëse interesi privat i nënës dhe fëmijës për të pasur një jetë të përbashkët familjare duhet të peshojë më shumë se sa interesi publik për mbajtjen larg të babait. Me këtë rast duhet të merret parasysh se nga dënimi me 18 muaj burg me kusht dhe delikti i fundit i kosovarit, një garë me vetura që ka shkaktuar një aksident me një të lënduar të tretë, kanë kaluar tashmë dhjetë vite./a.m.