Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka folur sot për gjendjen e ajrit në kryeqytet, që ditëve të fundit kaloi çdo nivel të ndotjes.Ai tha se burimi kryesor i ndotjes është KEK-u, ku, edhe pse në tri vitet e fundit janë investuar 50 milionë euro në filtra, Ahmeti tha se nuk po shihen rezultatet.
“Burimi i dytë i ndotjes janë ngrohja alternative, pra qymyri dhe druri. KEK-u i fal nga 8 tonë qymyr çdo punëtori, pra aty janë 5 mijë punëtorë. Shumica e tyre nuk nxehen me qymyr dhe e shesin në treg”, tha Ahmeti në “Puls” të KTV-së.
Ndërsa, sipas tij, trafiku është burimi i tretë i ndotjes së ajrit dhe theksoi se një problem i rëndësishëm në këtë aspekt, e që nuk po diskutohet fare, është se “një pjese të madhe të naftës po i shtohet sulfur”.
“Sulfuri ia rrit vëllimin naftës dhe e djeg më shpejt dhe pikën e djegies e ul më poshtë. Ne vërejmë se në disa lagje të kryeqytetit ka sasi të shtuar të dyoksidit të sulfurit në atmosferë. Për të zvogëluar ndotjen duhet që përmes zgjerimit të rrjetit të ngrohjes në shumicën e lagjeve të arrihet rrjeti i nxemjes qendrore tek çdo qytetar.
Duhet të shtohet edhe një gyp i nxemjes qendrore që vjen nga Obiliqi për në Prishtinë që t’i kyçim 180 mijë banorë. Kjo merr kohë dhe nuk bëhet menjëherë”, u shpreh kreu i Komunës së Prishtinës, përgatiti Express. (b.an)