Një gjykatë Apeli në Korenë e Jugut pezulloi një dënim me burg ndaj trashëgimtarit miliarder të kompanisë “Samsung Electronics” Lee Jae-Young dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij. Gjykata reduktoi gjithashtu dënimet për katër drejtues të tjerë të Samsung-ut që ishin dënuar krahas Lee Jae-Young.
Në muajin gusht gjykata e Distriktit Qendror në Seul e pati dënuar 49 vjeçarin Lee me pesë vjet burg për dhënie rryshfeti, në lidhje me një skandal që largoi nga detyra ish presidenten e vendit Park Geun-hye.
Në gjykatën e Apelit prokurorët kërkuan 12 vjet burg për Lee, por sot gjykata hodhi poshtë disa nga dënimet dhe pezulloi ndëshkimin për pjesën e mbetur prej dy vjet e gjysëm burg.
“Ndihem i keqardhur që s’munda të tregoj anën time më të mirë. Ka qenë një kohë shumë e çmuar për mua, një vit reflektimi. Do të bëj ç’të mundem”, tha Lee Jae-young zëvendës president i “Samsung Electronics”.
Çështja kundër Lee, u përqëndrua në pagesat që Samsung-u i pati bërë bashkëpunëtores së ngushtë të presidentes Park, Choi Soon-Sil, që sipas prokurorëve kishin për qëllim të siguronin favore qeveritare.
Lee Jae-Young u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave se kishte përdorur fonde të korporatës për t’i paguar ryshfete ish presidentes Park.
Lee ishte dënuar edhe për vepra të tjera penale, si përvetësim, pastrim parash, fshehje pasurish jashtë vendit dhe për dëshmi të rreme në parlament.
Vendimi i gjykatës së Apelit pritet të ankimohet në gjykatën e Lartë të vendit.
Gjykata gjithashtu reduktoi dhe dënimet për katër drejtues të tjerë të Samsung-ut që u dënuar krahas Lee Jae-Young, përgatiti Koha. (b.an)