Detaje të reja kanë dalë në lidhje me vrasjen e Devi Kasmit pak ditë më parë në Tiranë, për vrasjen e të cilit janë arrestuar pesë persona dhe është shpallur në kërkim një tjetër.
Një prej të arrestuarve, Elton Halipaj ka pranuar se ka pasur në përdorim një furgon dhe me të ditën e vrasjes tek rruga e Dibrës, pranë rrugës Petro Cani ka marrë në furgon grekun, por pa e ditur se çfarë kishte bërë. Burime për Report Tv në Prokurorinë e Krimeve të Rënda bëjnë me dije se 42-vjeçari grek Efthymiou Efthymious, ka mohuar sërish, vrasjen e Devi Kasmit.
Gjithashtu policia i ka bërë kërkesë INTERPOLIT të kryejë kontrolle në Greqi dhe Kosovë, ku dyshohet se mund të jetë arratisur Altin (Aurel) Hoxhallari.
Pak ditë më parë Policia arrestoi një shtetas grek dhe 4 persona të tjerë të dyshuar si autorë të vrasjes së Devi Kasmit.
Policia arrestoi shtetasin grek pasi i trembej arratisjes se tij. Pavarësisht se po punohej për arrestimin edhe te Aurel Hoxhallarit u vendos të arrestoheshin anëtarët e grupit pasi i trembeshin arratisjes se grekut.
Ai u arrestua në banesë në periferi teksa dyshohet se po planifikonte të rikthehej në Greqi nëpërmjet kufirit në Korçë.
Hetuesit kanë dyshime se greku do merrte 25 mijë euro pas vrasjes së Devi Kasmit, ndërkohë që 5 mijë i kishte marrë paradhënie (Shqiptarja.com)