Devi Kasmi, 41-vjeçari që u vra gjashtë ditë më parë nga ish-efektivi i Forcave Speciale greke Efthymiou Efthymious, e ka pikasur këtë të fundit një javë para se të vritej. Sipas burimeve nga prokuroria e Tiranës shtetasin Grek, Kasmi ka arritur ta dallojë teksa qarkullonte me motor, shumë pranë palestrës së tij në Tiranë.
Efthymiou Efthymious ishte kapur nga kamerat e kësaj palestre dhe se nga mënyra e lëvizjes së tij dhe qëndrimi herë pas herë në këtë zonë dhe rrugicat e lagjes, ka bërë që Kasmi ta nuhasë rrezikun që po i vinte. Ai ka njoftuar disa shokë të tij të palestrës dhe së bashku me ta ka organizuar t’i ngrejë një pritë personit misterioz që po e shqetësonte lidhur me mënyrën e lëvizjes së tij.
Pritë shtetasit grek
Burime pranë prokurorisë thonë se një nga ditët e javës së kaluar Kasmi së bashku me dy shokët e tij, i kanë zënë pritë në rrugë këtij personi duke e rrethuar dhe bllokuar.41-vjeçari ka nxjerë armën që e mbante me vete dhe ia ka vendosur menjëherë në kokë shtetasit grek Efthymiou Efthymious, duke i kërkuar të dhëna se kush ishte dhe çfarë plani misterioz kishte që po qarkullonte herë pas here në këtë zonë.
Por greku, ia ka kthyer se ishte shtetas i huaj duke i folur në gjuhën angleze, ndërkohë që ka pretenduar se kërkonte adresën e shtëpisë të një shokut të tij, me të cilin sipas grekut kishte jetuar në Greqi. I ndodhur në rrethim dhe me pistoletë në kokë, greku i ka pohuar Kasmit se nuk kishte asnjë plan dashakeqës. Pas kësaj ai është lënë i lirë nga Kasmi.
Prita në derën e shtëpisë së Kasmit
Mirëpo pa kaluar pesë ditë, tashmë Efthymiou Efthymious e kishte të lehtë të shquante fytyrën e Devi Kasmit. Ai e ka survejuar me përpikmëri duke i zënë pritë në derën e shtëpisë së tij, pranë spitalit pediatrik të Tiranës. Edhe pse Kasmi ka dalë i armatosur, pasi është thirrur nga shoku i tij Mario Meshini, ai e ka pasur të pamundur të reagojë ndaj shpejtësisë së ish-specialit grek, Efthymiou Efthymious, i cili besohet se ka qëlluar 9 herë në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Gjatë kqyrjes së telefonit të viktimës Devi Kasmi, janë gjetur nga policia dhjetëra numra telefoni të disa shpërndarësve të kokainës në Tiranë. Një ndër numrat që është gjetur është dhe ai i një personi të arrestuar pak ditë më parë gjatë operacionit të koduar “Profesori” Gazmend Gazheli, djali i një biznesmeni./shqiptarja
a.ç