Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur të shembë nesër në Fier dy objekte me shpërthim të kontrolluar. Sipas informacionit te IKMT, objektet, njëri katër katësh dhe tjetri pesë katësh, do të shemben në të njëjtën kohë.
Për këtë specialistët e IKMT kanë hapur 800 furnella (vrima) në trupat e ndërtesave, ndërsa parashikohet të përdoret 24 kilogramë lëndë plasëse.
“Për eleminimin e dëmeve janë vendosur në të dy objektet dhe pranë tyre 3 mijë thasë me rërë, si dhe një mijë metra skelë, për mbrojtjen e objekteve të tjera që ndodhen pranë shpërthimit”- thuhet ne njoftim.
Po ashtu janë porositur banorët që në orën 13.00, kur parashikohet të kryehet shpërthimi të mbajnë hapur dyert dhe dritaret për të shmangur valën goditëse.
“Prishja e dy objekteve me shpërthim të kontrolluar, është në kuadrin e aksionit që ka ndërrmarrë IKMT në qytetin e Fierit për rehabilitimin e lumit Gjanica dhe qëndrës së qytetit”- njofton IKMT.
Sipas saj, aksioni ka nisur që prej ditës së hënë dhe deri tani janë prishur 15 objekte dy dhe më shumë katëshe me funksione të ndryshme shërbimi dhe nuk është rregjistruar asnjë incident.