Policia italiane ka goditur një grup kriminal që dërgonte emigrantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me pasaporta të falsifikuara. Organizata vepronte në qytetin e Peruxhias dhe kryesisht dërgonte në SHBA qytetarë shqiptarë me dokumente ilegale.
Në prangat e policisë ranë një 37-vjeçar shqiptar dhe dy italianë 44 dhe 47 vjeç. Këta të fundit janë drejtues të një agjencie udhëtimi në Foglino. E gjithë skema e dërgimit në SHBA të emigrantëve të paligjshëm bëhej në bashkëpunim me agjencinë e udhëtimit.
Sipas mediave italiane, 37-vjeçari shqiptar gjente emigrantë nga Shqipëria dhe kujdesej për pajisjen e tyre me pasaporta të falsifikuara. Më pas, udhëtimi drejt Amerikës organizohej nga agjencia e udhëtimit që menaxhohej nga dy italianët e arrestuar. Emrat e tyre nuk janë bërë me dije nga policia italiane. Sipas hetimeve të deritanishme, ka rezultuar se ky aktivitet kriminal ka nisur që prej vitit 2013, kur dhjetra shqiptarë kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.
Emigrantët paguanin mijëra Euro për këtë rrjet kriminal, thonë hetuesit italianë. Pagesa bëhej pasi ata mbërrinin me sukses në destinacion. Hetimet e policisë italiane për këtë rast janë bërë në bashkëpunim me autoritetet amerikane.
a.ç