Ancelotti, Conte, Mancini dhe Ranieri – këta janë kandidatët e mundshëm për stolin e Kombëtares së Italisë.Federata Italiane e Futbollit nuk arriti të zgjedhë presidentin e saj, ndaj Komiteti Olimpik ishte ai që caktoi edhe presidentin e komanduar, që do të jetë Roberto Fabbricini.
Pikërisht ky i fundit, bashkë me zëvendës Presidentin, Aleksander Costacurta do të kenë përgjegjësinë e përzgjedhjes së emrit të ri që do të drejtojë kombëtaren e futbollit, pas largimit të Venturës, fill pas dështimit të kualifikimit në finalet e Kupës së Botës.
“Mancini, Ancelotti, Conte dhe Ranieri. Duhet të qendrojmë brenda këtyre emrave”, u shpreh Fabbricini në fjalën e marrjes së detyrës, ndërsa pranoi se do të jetë pikërisht Costacurta ai që do të merret drejtpërdrejtë me këtë çështje.
Aktualisht vetëm Ancelotti është i lirë, por ky i fundit duket i pavendosur për të pranuar aventurën në krye të kombëtares. 3 të tjerët kanë pranuar se do të ishin të lumtur të merrnin stolin e Italisë, por që për momentin janë të lidhur në kontrata me klubet ku po punojnë.
Gjithsesi, mediat italiane raportojnë se shanset më të mëdha i kanë Mancini dhe Ranieri, kjo pasi Conte dhe Ancelotti kanë ende kërkesa nga klube prestigjioze evropiane dhe mund ta lënë për më vonë eksperiencën në përfaqësuese, përgatiti Express. (b.an)