Në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore në fundjavë por jo vetëm, Policia Rrugore e Tiranës, si çdo fundjavë, ka vijuar kontrollet me Drager e Radar për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia njofton se si rezultat i këtyre kontrolleve, janë pezulluar 64 Leje Drejtimi dhe janë arrestuar 8 drejtues mjetesh, nga këta 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti pa Leje Drejtimi.
Në drejtim të shpejtësisë në akset interurbane dhe ato urbane kryesore, gjatë 48 orëve të fundit Policia Rrugore ka evidentuar dhe ndëshkuar:
27 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejura, ku shpejtësia vijonte nga 146 km/h deri në 236 Km/h, ndërsa në qendrat e banuara shpjetësia varionte nga 89 km/h deri në 108 km/h.
Përsa i përket drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe pa leje drejtimi, gjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë:
6 drejtues mjetesh që drejtonin automjetet në gjendje të dehur, ku masa e alkoolit varionte nga 0.67 mg/l deri ne 0.85mg/l.
Janë pezulluar 19 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, por jo deri në kufijtë e dehjes, ku masa e alkoolit varionte nga 0.22 mg/l deri ne 0.47 mg/l.
Gjithashtu janë pezulluar dhe 18 Leje Drejtimi për shkelje të tjera.
Janë arrestuar 2 drejtues mjetesh që drejtonin automjetin të pa pajisur me Leje Drejtimi.
Policia Rrugore ka ushtruar kontrolle edhe në evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ku për 48 orët e fundit janë vendosur:
• 81 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit
• 107 masa për parakalim të gabuar
• 115 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit
• 12 masa për mosrespektim të sinjalistikës së semaforit
• 45 masa për ata që qarkullojnë pa kaskë mbrojtëse si dhe pa kontroll teknik të mjetit
• 682 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë bllokuar dhe 15 mjete për mosshlyerje të masave administrative, nga 7 masa deri në 12 masa adminsitrative.
a.ç