Të tjera detaje mësohen për gjendjen shëndetësore të Aldison Belulajt, i cili vrau me armë zjarri studenten e juridikut, Ariela Murati mesditën e të dielës në kryeqytet dhe më pas qëlloi veten.
Duke iu referuar mjekëve të spitalit raportohet për “BalkanWeb” se gjendja e 23-vjecarit vijon të jetë e rëndë dhe sipas mjekëve kemi të bëjmë me një koma të pakthyeshme, ndërsa i riu mbahet në jetë me aparatura.
“Kemi të bëjmë me një koma të pakthyeshme dhe mbahet në jetë me aparatura. Truri ka dëmtime shumë të rënda dhe ënjtje të trurit, ndërsa mbahet në jetë me aparatura. Në të tilla raste mjekësia ngre duart dhe nuk mund të bëhet gjë, por thjesht duhet të qëndrohet në pritje”- shprehen mjekët e spitalit, raporton “BalkanWeb”.
Ndërkohë të pyetur për mundësinë e transportimit jashtë Shqipërisë të pacientit, bluzat e bardha shprehen se për këtë rast nuk është nevoja për shkak të gjendjes së rëndë të 23-vjecarit.
Si ndodhi ngjarja
Ditën e ngjarjes Aldisoni e ka ndalur në rrugë Arielën e cila ka qenë e shoqëruar me motrën dhe kushërirën. Motra dhe kushërira janë distancuar dhe nuk kanë dëgjuar dialogun mes të rinjve.
Ato janë kthyer vetëm kur kanë dëgjuar Arielën të bërtiste “mos më vrit”. Vajza është ulur në gjunjë është përpjekur të qetësojë autorin, por ai e ka qëlluar. Viktima ka një plagë plumbi tejshpuese në dorën e djathtë dhe në këmbën e djathtë dhe një plumb në kokë.