Komisariati i Policisë Kufitare në Rinas ndaloi në hyrje shtetasin e shpallur në kërkim Nikë Muri, 59 vjeç, banues në Shkodër, i cili udhëtonte si pasagjer i zakonshëm nga Gjermania për në Shqipëri.
Ndalimi i tij u bë pasi gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, ky shtetas rezultoi person në kërkim, pasi Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me datë 19.12.2014, ka sjellë urdhërin për ekzekutimin e Vendimit Penal nr.128 dt.18.12.2014 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 14 vjet burg, nga të cilat ka vuajtur 711 ditë burg dhe i mbeten për të vuajtur edhe 4402 ditë burg. Vepra Penale: “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar nga nenet 79/c-25,278/4, të Kodit Penal.
Ky shtetas me datë 10.07.2013 pas një konflikti me vëllain e tij M.M.dhe djalin e tij Gj. M. në debat e sipër ka vrarë me armë zjarri nipin e vet shtetasin Gj. M.
Shtetasi i lartëpërmendur i’u dorëzua Patrullës së Përgjithshme të Policisë DVP Shkodër për shoqërim dhe veprime të mëtejshme, ku në përfundim të veprimeve , Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër kanë bërë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.
Ngjarja
Sipas akuzës, shtetasi Nik Muri, 55 vjeç, ka shkuar te banesa që po ndërtonte aty pranë nipi i tij, Gjin Muri, dhe ka nisur të debatojë. Më pas në debat janë përfshirë edhe meshkujt e tjerë të dy familjeve. Grindja mes tyre ka nisur fillimisht për motive banale, ku Nika i ka kërkuar llogari nipit se bagëtitë i kishin ngrënë hardhitë. Kaq është dashur që mes palëve të fillojë edhe debati për pronësinë e rrugës në vendin ku familja e Mark Murit kishte nisur të bënte një ndërtim. Pas pak minutash gjithçka ka dalë jashtë kontrollit kur shtetasi Çesk Muri, 24 vjeç, në bashkëpunim me babain e tij, Nik Murit, ka marrë armën e zjarrit në banesën e tyre aty pranë dhe ka nisur të qëlloj në drejtim të djemve të xhaxhait.
Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Gjin Muri, 32 vjeç, dhe janë plagosur shtetasit Aleksandër e Gegë Muri, vëllezërit e viktimës si të plagosur lehtë. Ndërkohë që nga goditja me sende të forta kanë mbetur të plagosur edhe dy të akuzuarit si autorë e ngjarjes babë e bir Nik dhe Çesk Muri.
/a.m.