Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, duke folur për gjuajtjen me armë të zëvendëskryeministrit, Dardan Gashi, përmendi dy habi të tij rreth këtij rasti.
Ai tha se me armë ka shtënë Gashi dhe nuk është për t’u habitur se në rastet e tilla kur hahet mish e pihet raki edhe “frikacaku bëhet trim”, ndërsa shtoi habinë tjetër gjuajtja me armë ndodhi në shtëpinë e zëvendëskryeministrit tjetër, Fatmir Limajt, i cili kremtonte lirimin e tij nga fajësia për keqpërdorimet në rastin MTI.
Konjufca shtroi pyetjen se si është e mundur që hudhja e gazit lotsjellës nga deputetë të opozitës të jetë shumë më e rrezikshme sesa shtënia me armë nga zyrtarët qeveritarë.
“Për hedhjen e gazit lotsjellës është zhvilluar një proces gjyqësor dhe janë dënuar deputetë të Vetëvendosjes ndërsa shtënia me armë zjarri e zyrtarëve qeveritarë mbetet vetëm në suaza të dënimeve verbale”, ka thënë Konjufca, i cili ka bërë thirrje që të hetohet rasti i gjuajtjes me armë nga zyrtarët qeveritarë.
“Dardan Gashi nuk i ka kqyr reklamat e KFOR-it dhe është sjellje e keqe e një zyrtari të lartë të Kosovës”, ka thënë veç të tjerash shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, përgatiti Koha. (b.an)