Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi vijon me ‘kritikat’ ndaj presidentit Ilir Meta, njëherësh bashkëshort i saj dhe ish drejtues i LSI. Si për të treguar se distancohet nga bashkëshorti sa i takon qëndrimeve politike dhe orientimit të LSI, ajo ka dhënë një tjetër deklaratë ‘të fortë’ me kritika të ashpra në drejtim të Ilir Metës.
Ajo thotë se falë pushtetit që ai i dha Edi Ramës, ky i fundit kriminalizoi poicinë.
“Qetësia dhe dashuria e Ilir Metës, fuqizoi dhe i dha një pushtet të pakufij, Edi Ramës. I dha një pushtet që kriminalizoi policinë. Madje jo vetëm krminalizoi policinë, por kriminalizoi sot Shqipërinë”, deklaroi Kryemadhi.
Këtë deklaratë ajo e dha gjatë një takimi në Berat me strukturat dhe simpatizantët e LSI. Në një moment gjatë fjalimit, Kryemadhi nuk u ndje mirë, duke kërkuar ujë. Pas duartrokitjeve ajo ka vijuar fjalimin.
Kryemadhi ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e së shtunës. “Sot më shumë se kurrë duhet t’i thërrasim mendjes. Ne kemi dy rrugë ose të largohen shqiptarët nga Shqipëria ose Edi Rama nga qeveria. Kostoja më e vogël është të largohet Edi Rama. Ky është shansi i vetëm që shqiptarët kanë për të shpëtuar nga kjo kapje e shtetit, nga krimi i organizuar. Do të doja të flisja për situatë ekonomike. “Sot më shumë se kurrë duhet të zgjohemi nga apatia sepse e ndiejmë të gjithë që jemi më të varfër. Nëse nënshtrohemi do jetë gjumi i vdekjes sepse të gjithë do të ikin nga Shqipëria”, tha Kryemadhi./a.m.