Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, pohoi se, ish-kryeministri Sali Berisha është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit për lidhje të mundshme me UDB e ish-Jugosllavisë. Duke komentuar mundësinë e hapjes së dosjeve mbi rolin e agjenturave të huaja, Klosi pohoi se të dhënat në dosjen e Sali Berishës, për raportet me UDB, ishin zhdukur.
Ish-kreu i SHISH shtoi se, të dhënat duhet të jenë zhdukur gjatë pushtetit të parë të Berishës. Ish-kreu i SHISH tha se UDB, për shkak të çështjes së Kosovës, ka pasur bashkëpunëtorë në të gjitha fushat në Shqipëri.
Por, Klosi pohoi se këto dosje nuk duhet të preken, pasi është e rrezikshme, edhe për shkak se agjenturat jo partnere veprojnë deri në ditët e sotme dhe se ato nuk duhet që të dinë se çfarë dimë ne për ta. Kreu i SHISH u shpreh se Serbia, edhe sot, ka bashkëpunëtorë në të gjitha vendet e rajonit. Ai tha se loja e shërbimeve është e përhershme, madje edhe mes vendeve partnere.
-Z. Klosi, komisioni për hapjen e dosjeve, në kuadër të studimeve dhe edukimit të publikut, mund të trazojë dokumente mbi rolin e shërbimeve të huaja në Shqipëri. A është i mundur një proces i tillë dhe cilat mund të jenë pasojat?
Së pari, shumë gjëra në lidhje me ndikimin dhe rolin e shërbimeve të huaja, janë hamendje, nuk janë bindje. Natyrisht, ka midis tyre plot fakte dhe dokumente, por kuadri asnjëherë nuk është i plotë dhe mbeten në nivel hipotezash. Në asnjë vend të botës nuk mund të ndodhë që të hapen dosjet e agjenturave të huaja, pasi ato janë shumë sekret. Ne, në asnjë mënyrë nuk mund dhe nuk duhet t’i themi askujt se çfarë dimë dhe se çfarë nuk dimë për veprimtarinë e shërbimit tjetër.
-Nuk bëhet fjalë për publikim, por thjeshtë njohje në kuadër të edukimit….
Të edukosh njerëzit se si duhet të mbrohen nga armiqtë është shumë e thjeshtë.
-A ka pasur UDB bashkëpunëtorë në Shqipëri dhe në çfarë sferash ka depërtuar?
Sigurisht që ka pasur, por ne dimë një pjesë fare të vogël. Kjo është betejë e gjatë dhe e heshtur. Nuk është e lehtë të luftosh me shërbime shumë të mëdha dhe të fuqishme se shërbimi ynë. Në kuadër të ‘dosjes jugosllave’ ne dimë disa gjëra, por ka edhe shumë hamendje, pasi në të kundërtën do të shkonin në gjyq. Asokohe nuk të falte njeri në këtë fushë. Në këto kushte, nuk kanë dalë emra, qoftë edhe pseudonime.
-Në çfarë sferash ka depërtuar më shumë UDB?
Shërbimi jugosllav ka punuar në të gjitha fushat në Shqipëri, kryesisht në politikë, në ekonomi dhe në ushtri. Ka qenë në mes Kosova, për këtë arsye ata kërkonin që ta njihnin mirë situatën në Shqipëri. Donin të dinin se çfarë bënin ne për Kosovën, çfarë planesh kishim etj. Puna vazhdon akoma edhe sot.
-Pra mendoni se kanë edhe sot bashkëpunëtorë?
Sigurisht, angazhimi i shërbimeve jo partnere vijon edhe sot. Prandaj, këto dosje nuk duhen prekur. Do të ishte absurde të mendohet se ata nuk janë të interesuar se çfarë ndodh në Shqipëri. Kjo është një lojë që vazhdon për gjithë jetën.
Është një lojë e përjetshme që vazhdon edhe midis aleatëve shumë të mëdhenj, siç janë SHBA dhe Gjermania, e jo më midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera, më të cilat kemi ende probleme të mprehta të pazgjidhura. Millosheviçi ka pasur bashkëpunëtor në të gjitha vendet e Ballkanit. Është e paarsyeshme të mendosh ndryshe. Një vend i madh si Serbia, është interesuar dhe ka bashkëpunëtorë në të gjitha vendet e rajonit.
-Kohë më parë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, publikoi një dokument në gjuhën serbe, me të cilin pretendonte se Sali Berisha kishte qenë agjent i UDB. Në dijeninë tuaj, a ka dosje për Sali Berishën për lidhje me UDB?
Duke qenë dhëndër në një familje gjysmë serbe, Sali Berisha është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit, si bashkëpunëtor i mundshëm i UDB jugosllave. Unë nuk kam gjetur gjë në dosje, sepse kur unë vajta në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, Berisha kishte pesë vjet në pushtet dhe i kishte rregulluar të gjitha gjërat. Por që Berisha ka qenë i ndjekur për lidhje të mundshme me UDB, këtë e thonë oficerët që kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe që e kanë parë dosjen e si i tillë.
-Pra, ka pasur një dosje për të?
Oficerët e kanë parë dosjen e tij. Por, ka një gjë, dosjet e kundërzbulimit asnjëherë nuk janë të sigurta. Unë nuk kam parë asnjë lloj dokumenti dhe të dhëne në dosje.
-Po sa i takon dosjeve për zhvillimet brenda vendit, cilat janë zhdukur?
Dosjet për agjitacion-propagandë dhe tentativë arratisje, në përgjithësi, janë eliminuar. Janë zhdukur në kohën kur ndryshoi Kodi Penal, pra kur u dekriminalizuan si vepra penale. Pra, janë zhdukur në përgjithësi, nuk po e cilësoj vetëm të politikanëve apo njerëzve të thjeshtë. Më vonë, duart i kanë futur të gjithë. Prandaj nuk e kam quajut ndonjë proces të rëndësishëm që të prodhojë surpriza. Thjeshtë shpresoj që ky problem të mbyllet dhe të mos shfrytëzohet më nga politika.
Nuk do prekë figura politike. Figurat politike kanë kaluar në dy komisione të mëparshme. Ka qenë komisioni “Bezhani”, ka qenë komisioni “Mezini”. Çfarë figurash do prekë ky proces?! Nuk ka për të ndodhur gjë. Tani një pjesë e politikanëve janë shumë të rinj, për të qenë të prekur nga ligji i për hapjen e dosjeve. Kanë kaluar 25 vjet. Ka më shumë vlera historike.
-Gjithmonë ka një shqetësim sa i takon influencave ruse në Shqipëri. A ka vend për alarm?
Mirë është që të jemi gjithmonë të vëmendshëm, por deri tani, nuk kemi parë një tentativë ruse për influenca në Shqipëri. Një shqetësim i tillë, sipas meje, është i pambështetur në fakte. Rusët e dinë se, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe në partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra e kanë shumë të qartë se, me çdo përpjekje tyre, do ta kishin shumë të vështirë që të arrinin një rezultat.
Edhe investimet ruse në Shqipëri nuk janë ndonjë gjë për t’u shënuar, janë të papërfillshme, madje unë nuk di për asnjë investim, në ndryshim me investimet në vendet fqinje, siç janë Greqia apo Mali i Zi, mbase edhe Maqedonia. Mënyra më normale për të shtrirë influencën është me anë të investimeve.
Shqipëria nuk ka qenë objektiv i investimeve të tyre. Sigurisht, rusët gjithmonë kanë qenë të interesuar për Ballkanin, por për Shqipërinë nuk ka ndonjë gjë konkrete. Por, që të jemi të vëmendshëm, sigurisht që duhet, për sa kohë që tashmë Rusia është fuqizuar, nuk është më koha e Jelcinit. Me Presidentin Putin janë bërë me ekspansivë, po përpiqen që të shtrinë influencën e tyre në Ballkan, pasi kjo është një ëndërr e vjetër e carëve rus. Sa i takon ndikimit tek vendet fqinje, ne vetë Serbinë dhe Maqedoninë i kemi kujdes. Asnjëherë nuk i kemi konsiderua miq realë dhe që të hapemi ndaj tyre. Ata thjeshtë janë fqinjët tanë./Shqiptarja